Neziraj: Kosova, shteti më i varfër në Evropë

  • 19 June 2018 - 16:25
Neziraj: Kosova, shteti më i varfër në Evropë

 Ndërsa, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën "Kosova Sot" tha se Republika e Kosovës sipas të gjitha parametrave ekonomikë është shteti më i varfër i Evropës. "Më tepër se gjysma e popullsisë është e papunë, varfëria ekstreme është në përqindje të madhe dhe shqetësuese, si dhe të ardhurat kombëtare për kokë banori janë më të ulëtat në Evropë", vlerëson ai.

"Raportet ndërkombëtare dhe vendore e vendosin Kosovën si vendin më të varfër në rajon. Mungesa e investimeve direkte, investimet buxhetore me prioritet joadekuat për zhvillim ekonomik, mosbesimi në institucionet e drejtësisë, përgatitja joadekuate profesionale, klintelizmi dhe shumë dukuri të tjera që nga paslufta kanë bërë që vendi ynë të jetë në këtë gjendje edhe gati dy dekada pas luftës", ka thënë më tutje Neziraj."Asnjë qytetar i vendit nuk ka pritur që edhe pas 10 vjetësh pavarësi shkalla e varfërisë në vendin tonë të jetë shumë e lartë, përderisa vendi ka pasuri të shumta natyrore dhe fuqi të re punëtore", tha ai. Ndërsa, Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se remitencat e kosovarëve, që punojnë jashtë, tash e një kohë të gjatë janë bërë burimi kryesor i krijimit të të hyrave në Kosovë.

"Sikur mos të ishin remitencat e diasporës kosovare, Kosova faktikisht nuk do të mbijetonte ekonomikisht. Shih për këtë arsye, Qeveria e Kosovës duhet të ofrojë një varg lehtësirash që nga kalimet kufitare e deri tek heqja e të gjitha taksave të çdo investimi që bën diaspora kosovare në fushën e prodhimit", ka propozuar Maloku.

(Kosova Sot)