Tradita brutale çoi në vdekje vajzën e izoluar për shkak të menstruacioneve

  • 21 June 2018 - 17:17
Tradita brutale çoi në vdekje vajzën e izoluar për shkak të menstruacioneve

Mbetjet e saj mortore u dogjën, fustanet e saj u dhuruan

Jo fort moti, në Nepalin rural perëndimor, Gauri Kumari Bayak ishte drita e fshatit të saj. Ishin të shumtë ata që admironin vetëbesimin e saj. Por, në janarin e kaluar, trupi i pajetë i Bayakut dërgohej përpjetë kodrës, me xhematin që i shkonin prapa. Mbetjet e saj mortore u dogjën, fustanet e saj u dhuruan. Kasollja e vogël ku detyrohej që të mbyllej gjatë menstruacioneve - dhe ku vdiq - u bë copë e grimë, duke zhdukur çdo gjurmë të një jete tjetër, të humbur si pasojë e një besëtytnie vdekjeprurëse. "Ende nuk mund të besoj se ajo ka vdekur", thotë Dambar Budha, njerku i saj, derisa qëndron ulur mbi një gur, me shikimin e humbur në kreshta. Në këtë skaj të Nepalit, thellë në Himalaje, femrave iu ndalohet qëndrimi në shtëpitë e tyre, derisa t'ju kalojë periudha e menstruacioneve. Ato konsiderohen të ndotura, bile edhe helmuese, gjë që ka ndikuar në ndërtimin e kasolleve të veçanta, ku flenë gratë gjatë menstruacioneve. Disa nga këto kasolle janë të vogla, sa WC-ja, me muret e bëra nga balta, apo guri. Bayak vdiq në kasollen e saj si pasojë e thithjes së tymit, pasi që ishte munduar të mos mërdhinte në dimrin e ashpër të Himalajeve. Çdo vit, të paktën një femër vdes në këto kasolle, qoftë si pasojë e të ftohtit, tymit, apo sulmit nga kafshët. Në qershor të këtij viti, një femër tjetër e re u gjet e vdekur në kasollen e saj të menstruacioneve, pasi që ishte kafshuar nga një gjarpër. Familjarët e saj u munduan që ta fshihnin këtë rast, duke shkatërruar kasollen e saj dhe duke varrosur vajzën, por autoritetet zhvarrosën kufomën e saj dhe janë duke e hetuar rastin. 

Kasollet ndërtohen nga vetë femrat

Ky adet quhet "chhaupadi", që në gjuhën e Nepalit d.m.th. dikush i papastër. Ky adet ka me qindra vjet që praktikohet, por tani qeveria e vendit, si dhe aktivistët e të drejtave të femrave, janë duke tentuar t'i japin fund atij. Duke filluar nga gushti, për herë të parë do të konsiderohet krim ta detyrosh një femër me menstruacione, që të izolohet në kasolle, krim që do të dënohet deri në 3 muaj burg, edhe pse nuk është e qartë a do të ndikojë kjo në çrrënjosjen e kësaj tradite të mbrapshtë. Shumë gra vazhdojnë që ta praktikojnë këtë adet, qoftë nga presioni i madh social, apo nga ndjenja e fajësisë. Mansara Nepali, një grua që e praktikon këtë adet, thotë se kasollet ndërtohen nga vetë femrat, prandaj edhe nuk janë të mira. Ajo ka 35 vjet dhe është analfabete. Kurrë nuk ka shkuar në shkollë dhe turpërohet nga fakti që është e varfër. Lëkura i është rreshkë në diell, si pasojë e punëve të përditshme në malet me erë të fortë. Në këto fshatra, pjesën më të madhe të punëve e bëjnë gratë. Shpesh ngjan që të shohësh femra të stërngarkuara me barra të ndryshme, qoftë të pemëve, apo të gjësendeve të tjera. Për shkak të ngritjes së peshave të mëdha, shumë femra të këtij rajoni vuajnë nga mitra e zbritur, e cila në disa raste kthehet aq poshtë, saqë del nga vagjina. "Kjo është pasojë e vuajtjeve dhe poshtërimeve të cilave iu nënshtrohen femrat, si pasojë e traditave brutale", thotë Pashupati Kunëar, i cili udhëheq një grup të vogël që iu ndihmon grave. "Dhuna familjare vazhdon që të jetë e shprehur, sikur që është edhe dukuria e martesës së fëmijëve. Jemi duke u përpjekur që t'i bindim njerëzit se kohët janë duke ndryshuar, por besëtytnia mbetet e fortë". Adeti "chhaupadi" është treguar veçanërisht i vështirë për t'u larguar. Që nga mosha më e vogël, njerëzve iu thuhet se çdo kontakt me femrën që ka menstruacione, sjell fatkeqësi.

Shumica e njerëzve as që e vënë në dyshim një gjë të tillë. "Nëse femra me menstruacione hyn brenda shtëpisë, atëherë ndodhin tri bela", thotë një bujk i quajtur Runcho."Do të vijë tigri; shtëpia do ta marrë flakën dhe kreu i shtëpisë do të sëmuret". Derisa i thotë këto fjalë, Runcho nuk manifeston as më të voglin dyshim. Kur pyetet se a ka parë ndonjëherë tigrin në fshatin e tij, ai buzëqeshë dhe nuk përgjigjet. Më pas tregon sesi, rreth 10 vjet më parë, pa dashje kishte prekur vajzën e tij me menstruacione dhe, si pasojë, i kishte humbur shikimi për disa ditë, transmeton "Kosova Sot Online".

"Nuk dua që të sëmuren prindërit e mi"

Në anën tjetër, mbesa e bujkut, e cila përgatitet që të shkojë në kasollen e saj të menstruacioneve, thotë se është e lumtur që e bën një gjë të tillë. "Nuk dua që të sëmuren prindërit e mi", thotë ajo. Si çdo e re, ajo e ka problem që, në kasolle, celularët nuk funksionojnë, prandaj i duhet të dalë jashtë që të kyçet në "Facebook". Kur pyetet se a do të pranonte ai që të flinte në kasolle të tillë, Runcho ia krisë gazit. "E, pse do ta bëja një gjë të tillë? Unë nuk jam grua". Në disa fshatra, femrat me menstruacion i mbajnë në ahure të kafshëve. Edhe gratë lehona konsiderohen të ndyta, kështu që për disa ditë mbahen të izoluara, bashkë me bebet e sapolindura. Flitet për një rast kur një lehonë, e cila e kishte lënë beben të vetme në kasolle për disa qaste, për t'i larë teshat, e kur ishte kthyer, kishte parë se beben ia kishte shqyer çakalli. Shumë religjione kanë rregulla gjatë menstruacioneve, ku hinduizmi e ven një theks të veçantë te pastërtia dhe ndotja. Megjithatë, studiuesit nuk e kanë të qartë pse tabuja e menstruacionit është kaq e fortë në Nepal. Shkaku mund të ketë të bëjë me faktin që Nepali është i varfër, relativisht homogjen, kryesisht hindu dhe shtëpitë janë të vogla. Në disa nënkultura të hinduizmit, gratë gjatë menstruacioneve izolohen në pjesë të veçanta të shtëpisë. Gjatë menstruacioneve femrat nuk lejohen as të gatuajnë, gjë që shumë prej tyre e shohin edhe si lehtësim. Dharma Raj Kadayat është njëri prej kundërshtarëve të "chhaupadi"-t. Ai ka qëndruar rreth 20 vjet në kryeqytetin e Nepalit, Katmandu. Kur tash vonë u kthye në fshat, u ndie i turpëruar kur pa se kushërinjtë e tij vazhdonin me këtë praktikë të mbrapshtë. Ai tregon se si aktivistët kishin bindur shumë fshatra që t'i shkatërronin kasollet e menstruacioneve, por të kapluar nga frika, ata i kishin rindërtuar ato përsëri. 

 

(Kosova Sot)