GURAZIU: POLITIKA E SHANTAZHEVE PO MBIJETON MBI KRIMIN DHE KORRUPSIONIN

  • 22 June 2018 - 17:13
GURAZIU: POLITIKA E SHANTAZHEVE PO MBIJETON MBI KRIMIN DHE KORRUPSIONIN

Sipas analistit politik Ragip Guraziu, politika e shantazheve po mbijeton mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe është një nga format më perfide të kërcënimit, dallavereve e mashtrimeve në Kosovë.

"Pushtetarët e inkriminuar dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale vazhdojnë të jenë gjithnjë mbi ligjin. Dhe kjo do ishte arsyeja, si dhe pse janë instaluar në sistemin politik dhe në institucione të shtetit grupet dhe bandat e krimit dhe familjet e klanet e tyre mafioze dhe askush nuk çan kokën fare për mirëqenien e qytetarëve, por vetëm për interesat e veta e të klanit kriminal që e rrethon e bashkëjeton", theksoi ai.

"Është një formulë pa zgjidhje nëse tentojmë të japim një definicion apo parashikim se deri kur Kosova do të vazhdojë të mbetet një shtet i korrupsionit, i krimit të organizuar dhe shantazhit, deri atëherë kur kjo klasë politike të ikë në shtëpi, sepse aty është instaluar e forcuar që prej pasluftës, duke instaluar edhe protagonistët kryesorë të këtyre dy dekadave, që kanë punuar me shantazhe, kërcënime, prapaskena, dallavere e mashtrime", vijoi më tutje Guraziu.

"Për plot dy dekada shantazhi është bërë një model pune në Kosovë, me një klasë politike që janë mësuar të shantazhojnë rivalët, të shantazhojnë bile edhe njëri-tjetrin, për interesa të ngushta, për tenderë, për para, për pushtet, duke e bërë të shantazhuarit si mënyrë e të menduarit, të vepruarit e jetesës, si formë qeverisjeje, si një sindromë të pashërueshme dhe të metastazuar në tërë shoqërinë kosovare", tha Guraziu për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)