Limaj flet për koalicionin, dialogun, ushtrinë dhe vizat

  • 24 June 2018 - 15:43
Limaj flet për koalicionin, dialogun, ushtrinë dhe vizat

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në Kuvendin e Dytë të Punës së partisë të cilën ai e drejton ka folur për dialogun me Serbinë, koalicionin qeveritarë, formimin e ushtrisë, liberalizimin e vizave dhe për zhvillimin partiak të Nismës.

Limaj ka siguruar partnerët e koalicionit se Nisma do të vazhdoj partneritetin në qeverisje, do të jetë korrekt me partnerët dhe e angazhuar në plotësimin e programit qeveritarë pjesë e të cilit janë edhe katër zotimet e Nismës.

Sa i përket dialogut, Limaj ka thënë se Nisma është e gatshme të japë kontributin e vet. 
 

“Nisma është e gatshme të marrë angazhimet e saj edhe në dialogun me Serbinë për të zgjidhur problemet e pazgjidhura të cilat do të çonin përfundimisht në një marrëveshje përfundimtare, e cila nënkupton njohje reciproke të dy vendeve. Ne besojmë që dialogu për të pasur sukses duhet gjithë përfshirje e konsensus nacional. Ne ftojmë të gjitha forcat politike mos t’i ikin kësaj përgjegjësie”, ka thënë Limaj.

Më tutje, Limaj ka thënë se Qeveria do të angazhohet fort që vendi sa më shpejt të bëhet me ushtri. Duke folur për liberalizimin e vizave, Limaj i cili mban postin e zv/kryeministrit në qeverinë e Kosovës, ka thënë se beson që vitin e ardhshëm qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm dhe se ndihet krenarë që Nisma ka dhënë kontribut në këtë drejtim.

Limaj është zotuar se zotimet e Nismës siç janë: Çdo familje një të punësuar, mbështetja e bujqve, mbrojtja e prodhimeve vendore, do të realizohen gjatë këtij mandati qeveritarë.

Duke folur për rezultatet dhe zgjerimin e Nismës, ai është shprehur i bindur se Nisma po rritet dhe po zgjerohet në cdo cep të vendit.

“Rezultatet treguan se ne jemi në rrugë të drejtë. Qëndrimet e saj u panë si të drejta dhe u mbështeten nga qytetarët e Kosovës. Ne vazhduam fuqishëm t’i qëndrojmë fjalëve tona në ato që kemi thënë e po bëjmë. Ne proklamuam një politikë e cila bashkon njerëzit. Një politikë e cila kultivon bashkëpunimin. Një politikë e cila frymëzon njerëzit e thjeshtë të këtij vendi. Një politike njerëzore për një vend më të mirë, për një Kosovë me mirëqenie e stabilitet ekonomik. Për një Kosovë e cila ka interes strategjik vazhdimin e saj drejt integrimeve evropiane. Ne thelluam bashkëpunimin me të gjitha forcat politike në vend. Ne dalluam qeverisjen ditore nga temat nacionale. Temat nacionale duhet gjendur konsensus sa më të gjërë”, ka shtuar Limaj.

Në Kuvendin e Dytë të Punës së Nisma Socialdemokrate po marrin pjesë mbi 800 delegatë.


(Kosova Sot)