Edhe kjo Qeveri favorizon importin inkriminues të Devollëve nga Serbia

  • 22 July 2018 - 07:40
Edhe kjo Qeveri favorizon importin inkriminues të Devollëve nga Serbia
Grapci: Ministria e ka anashkaluar vendosjen e 30 përqindëshit ndaj importimit të grurit, që po importohet nga Serbia nëpërmes korporatës 'Devolli' 


"Një vendim i tillë i ministrit apo i Ministrisë, sikur na tregon se ata janë frikësuar apo e kanë bërë qëllimisht këtë shmangie, kur dihet se Devollët janë të lidhur me pushtetarët aktualë dhe ua lagin fytin këtyre pushtetarëve", thotë deputeti Ali Lajçi

Vendimi i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Bajram Hasani, për masat mbrojtëse për pemët dhe perimet ka ngjallur shumë reagime në vendet e rajonit, por ka gëzuar prodhuesit e Kosovës. Por, një fakt që bie në sy është tejet i habitshëm se ndër produktet ku merren masa antidamping janë pemët dhe perimet, madje edhe misri,por jo edhe gruri. Ndaj, deputetët e opozitës dhe ekspertët po habiten se përse MTI-ja e anashkaloi vendosjen e 30 përqindëshit të taksave edhe për grurin, të cilin dihet se më së shumti dhe kryesisht nga Serbia e importon oligarku Shkëlqim Devolli. Së këndejmi, ata vlerësojnë se ministri apo Ministria është frikësuar apo e ka bërë qëllimisht këtë shmangie, kur,sipas analistëve, dihet se Devollët janë të lidhur me të gjitha pushtetet dhe ua lagin fytin të gjithë pushtetarëve. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të tyre, se çka thotë ministri i MTIsë, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetarin. Përgjigje nuk ka dhënë as afaristi Shkëlqim Devolli.

Kurse deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Ali Lajçi, për gazetën " Kosova Sot', tha se vërtet po habitet se përse MTI-ja e anashkaloi vendosjen e 30 përqindëshit të taksave edhe për grurin, të cilin dihet se më së shumti dhe kryesisht nga Serbia e importon vetëm një kompani. "Një vendim i tillë i ministrit apo i Ministrisë, sikur na tregon se ata janë frikësuar apo e kanë bërë qëllimisht këtë shmangie, kur dihet se Devollët janë të lidhur me pushtetarët aktualë dhe ua lagin fytin këtyre pushtetarëve", potencoi ai. Vendimet mbrojtëse, të mangëta Kurse eksperti i ekonomisë Zekim Istogu, për gazetën " Kosova Sot", tha se vendimi i ministrit Hasani është shumë i qëlluar, ndonëse i mangët. "Prodhuesit tanë duhet të sigurohen se këto masa do të jenë të rregullta në sezonin kur produkti vendor është i gatshëm për treg. Këto politika duhet të jenë afatgjata për të stimuluar fermerët të rrisin kapacitet prodhuese dhe sipërfaqet e mbjella me këto produkte", u shpreh ai. "Nëse masat e tilla nuk janë të rregullta nuk kemi rritje prodhimi. Gruri është produkti që për kushtet tona klimatike është produkti më i lehtë për t'u kultivuar. Rrjedhimisht është dashur që të jetë produkti i parë i mbrojtur. Masat selektive janë tejet të dëmshme, sidomos kur bëhen për favorizimin e dikujt", vlerësoi më tej Istogu. Sipas analistit Istogu, kjo formë e favorizimit i bënë prodhuesit të ndjehen të injoruar dhe të pambrojtur. "Në një vend si Kosova, ku konsumi i produkteve të grurit është më i larti në Evropë për kokë banori, ku toka dhe kushtet klimatike janë të përkryera për këtë produkt, e në anën tjetër toka është djerrinë, nënkupton se masat e Qeverisë për stimulimin e fermerëve për kultivimin e grurit janë krejt të gabuara dhe me tendencë të favorizimit të importit", vijoi më tej ai.

Prodhimet vendore duhet të mbrohen Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri, për gazetën " Kosova Sot", tha se bilancet tregtare mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbesin në disproporcion të madh, por është me rëndësi të theksohet se Serbia eksporton produkte pa asnjë pengesë, ndërsa edhe ato eksporte të pakta që i bënë Kosova përmes Serbisë, ka pengesa të kohëpaskohshme doganore. Ditë më parë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani, ka vendosur masën mbrojtëse për prodhuesit vendorë. Që nga data 23 tetor, mielli që importohet nga Serbia do të paguajë tarifë prej 0.04 centë për import të këtij produkti. Me këtë vendim, MTIja e udhëzon Doganën e Kosovës që t'i ndërmarrë të gjitha masat për mbrojtjen e prodhuesve të miellit duke e aplikuar tarifën prej 0.04 centë. "Masat mbrojtëse për pemët dhe perimet kanë ngjallur shumë reagime në vendet e rajonit, por kanë gëzuar prodhuesit e Kosovës, çka mendoj se Kosova ka të drejtë t'i mbrojë prodhimet e saj, dhe të ngritë kapacitetet e saj, sidomos për prodhimet tradicionale që i kultivon", u shpreh ai. "Vendimi i ministrit të ri të Qeverisë së Kosovës, Bajram Hasani, meriton respekt të veçantë, sepse është ministri i vetëm deri më tani, i cili mbron prodhimet vendore në këtë mënyrë, të cilat i mbron çdo shtet normal, një veprim i tillë vjen në kohën kur Kosova ka sasi të bollshme ose ka sasi të mjaftueshme për një kohë të gjatë, çka mendoj se nuk bie ndesh me parimet e CEFTA-s apo edhe MSA-së", vlerësoi Beqiri.

Ndërsa eksperti tjetër i ekonomisë Artan Haziri, për gazetën "Kosova Sot", tha se nëse një vendim është marrë, ose është diskutuar deri më tash në favor të prodhimit vendor, është ky i ministrit Bajrami. "Çdo qeveri e ka për detyrë t'i mbrojë qytetarët e vet dhe në këtë rast prodhuesit e vet. Pjesa më e madhe e Qeverisë po reagon, më shumë se shtetet që preken nga ky vendim. Pse ?Importi nga shtetet afër e ka lodhur prodhuesin vendor deri në atë masë sa po i detyron që t'i mbyllin bizneset e veta dhe të migrojnë diku jashtë. Ministri vetëm është dashur të shtojë numrin e produkteve, edhe pse do shtohen armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm", ka theksuar ai. Sipas Hazirit, nëse dëshirojmë të shtohet prodhimi, e pastaj të ulet importi, e të shtohet eksporti e me të edhe gradualisht edhe zhvillimi ekonomike, duhet ky vendim të zbatohet.

Gruri i mykur nga Serbia nuk "rëndohet" qëllimshëm Analisti i ekonomisë Mustafë Kadriaj, për gazetën " Kosova Sot", tha se çdo veprim në të mirë dhe në përkrahje të biznesit vendor do të përshëndetet njëherësh edhe për veprime që e dëmtojnë biznesin dhe konkurrencën e lirë duhet t'i bëhet me dije ministrit në fjalë që ekonomia e Kosovës nuk është pronë private e tij. "Por, këto veprime po me duket një makijazh sa për t'i hedhur hi në sy opinionit, që gjoja se po bëjmë diçka, por duhet t'i bëhet me dije ministrit në fjalë që gruri është produkt bazë i tryezës në Kosovë dhe sasia më e madhe vjen pikërisht nga fqinji verior Serbia, kështu që aty duhet të ngritën masat mbrojtëse dhe vazhdimisht ka pasur ankesa nga përpunuesit e grurit në Kosovë, saqë një pjesë e konsiderueshme janë mbyllur pikërisht nga konkurrenca e grurit dhe miellit nga Serbia, pra është paradoksale që më i lirë në treg del mielli i importuar sesa vendori", u shpreh ai. "Masat mbrojtëse në pemë dhe perime janë për t'u përshëndetur, por gjithsesi duhet që të ngritën masa ndaj importit nga Serbia, sepse përveç konkurrencës joreale njëherësh shkalla e pasigurisë është e madhe ku kemi pasur afera edhe më herët duke furnizuar Kosovën me grurë që është i dedikuar për kafshë", vijoi më tej Kadriaj.

Ndërsa analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot", tha se vendimi i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Bajram Hasani është i mirëpritur, por ministria që e ka anashkaluar vendosjen e 30 përqindëshit ndaj importimit të grurit që po importohet nga Serbia nëpërmes korporatës 'Devolli', është pak i çuditshëm, duke e ditur se ky grurë nuk është për ushqim, por janë krunde për kafshë. "Për momentin, mbetet një mister se ministri Hasani tani a e ka bërë këtë qëllimisht shmangien apo jo, këtë nuk e di, por një gjë është e sigurt, që Shkëlqim Devolli i ka korruptuar shumë ministra dhe politikanë, që vetëm biznesi i tij të rezultojë me sukses në tregun e Kosovës dhe jashtë saj", vlerësoi ai. Sipas Grapcit, ministri Bajram Hasani duhet ta futë në listë edhe grurin që po importohet nga korporata 'Devolli', sepse me këtë anashkalim po i bie që i forti po shpëton, kurse ai dobëti nga mëshira e këtyre masave mbrojtëse për pemët dhe perimet po përfitojnë. 


(Kosova Sot)