A ishte mafia e përfshirë në ndërtimin e Urës 'Morandi', ku vdiqën 39 njerëz

  • 16 August 2018 - 17:46
A ishte mafia e përfshirë në ndërtimin e Urës 'Morandi', ku vdiqën 39 njerëz

Një foto e Urës "Morandi", e bërë pak javë para rrëzimit të saj të martën, duke lënë të vdekur të paktën 39 njerëz, tregon gjendjen e mjerë të saj, me kabllot e lëshuara poshtë, anëve të urës. Si familjarët e viktimave, po ashtu edhe ministrat qeveritarë kanë shprehur zemërimin në lidhje me këtë fatkeqësi, për të cilën faji i lihet mungesës së mirëmbajtjes nga "Autostrade Per Italia", kompanisë private italiane të ngarkuar me këtë punë. Zëvendëskryeministri i Italisë, Luigi Di Maio, akuzoi grupin "Benetton", i cili përmes një kompanie holding me vlerë 6 miliardë funte, të quajtur "Atlantia", kontrollon "Autostrade Per Italia", duke thënë se ky grup, në vend se paratë e mbledhura nga pagesat e autostradës t'i përdorte për mirëmbajtjen e saj, këto para i ka përvetësuar për vete, transmeton gazeta 'Kosova Sot'.

Mafia kishte një hise të madhe në industrinë e çimentos

Njëri nga personat e përmendur si përgjegjës për fatkeqësinë është një sheekzekutiv, i cili vishet me shije, pëlqen automobilat e shpejtë dhe plazhet tropikale. Paolo Berti, 47 vjeç, nga Milano, është menaxher i Operacioneve dhe Mirëmbajtjes në kompaninë "Atlantia" dhe, si i tillë, njëri nga zyrtarët ekzekutivë direkt përgjegjës për mirëmbajtjen e Urës "Morandi". Të tjerët janë Stefano Marigliani, drejtor i rrugëve në Gjenova dhe Giancarlo Guenzi, zyrtari kryesor financiar i kompanisë "Altantia", që ka përgjegjësinë e miratimit, apo refuzimit të buxhetit të mirëmbajtjes. Po ashtu, janë duke u bërë pyetje se a ka mundësi që mafia italiane të kishte qenë e përfshirë gjatë ndërtimit të urës në fjalë, më shumë se 50 vjet më parë. "Dihet se, përgjatë dekadave, kompanitë e çimentos dhe ndërtimit ishin të infiltruara nga kompanitë që kishin lidhje me mafinë, ku prokurorët i kanë akuzuar ato për bërjen e punëve shkel e shko, ku ndërtimet e tilla nuk mund ta përballojnë stresin e madh", shkruan "Globe and Mail" i Kanadasë. Akuza të njëjta ka përmendur edhe Dave Parker, redaktor teknik i nderit i "New Civil Engineer", i cili shton se, sipas miteve urbane, mafia kishte një hise të madhe në industrinë e çimentos, duke prodhuar çimento me përqendrim më të vogël sesa zakonisht. 

Çdo gjë dukej sikur në ndonjë film

Të martën, ekspertët deklaruan se ura, sipas të gjitha gjasave, u rrëzua për shkak të të metave në ndërtim, apo për shkak të vjetërsisë, gjë që nuk kishin vërejtur inspektorët që mbikëqyrin mirëmbajtjen. Një gjatësi prej rreth 80 metrash e Urës "Morandi" u rrëzua të martën rreth orës 11:30, derisa autostrada kryesore e qendrës së qytetit ishte e ngarkuar me vetura dhe kamionë. Veturat me këtë rast ranë nga një lartësi prej rreth 45 metrash, duke rënë në një lumë, mbi hekurudhë dhe mbi një pjesë të zonës industriale. Angelo Borrelli, kreu i Departamentit të mbrojtjes civile, thotë se rreth 1000 shpëtimtarë janë duke punuar që nga e marta, në kërkim të ndonjë të mbijetuari. Të paktën 39 njerëz, duke përfshirë edhe disa fëmijë, janë të konfirmuar si të vdekur, derisa 15 të tjerë dihet se kanë marrë lëndime. Një dëshmitar okular, i përmendur vetëm si Ivan, 37 vjeç, thotë ta ketë parë urën duke u rrëzuar, sikur të ishte e bërë nga letra. 'Ka kohë që dihet se kjo urë kishte probleme. Ajo është nën një mirëmbajtje të vazhdueshme. Gjatë viteve 1990 janë bërë ca përforcime në njërën pjesë të saj, por po të shikoje me kujdes nën urë, vëreheshin shenjat e ndryshkut'. 'Ende nuk mund të besoj se, ajo që pash, ndodhi me të vërtetë. Çdo gjë dukej sikur në ndonjë film', thotë një tjetër, Francesco Bucchieri, 62 vjeç, i cili ishte po ashtu dëshmitar i rrëzimit të urës. 'Kjo është pasojë e neglizhencës, ata e kishin nënvlerësuar rrezikun... duhen gjetur fajtorët, ky është skandal, gabimi duhet të shpaguhet". Në mesin e të vdekurve është edhe një familje tre anëtarëshe, ku e tërë familja vdiq në këtë fatkeqësi: Roberto Robbiano, gruaja e tij Ersilia Piccinino si dhe djali i tyre shtatë vjeçar, Samuel. Kjo familje nga qyteti Kampomorone, në veri të Gjenovës, thjesht ishte në vendin e gabuar, në kohë të gabuar. Robbiano, elektricist, ishte martuar me Ersilian në vitin 2014 dhe shpesh postonte foto të djalit të tyre. Gjenova shpalli dy ditë zie, të mërkurën dhe të enjten. Edhe pse ka dëshmitarë të cilët thonë se, pak para se të rrëzohej, ura ishte goditur nga rrufeja, inxhinierët thonë se nuk ka mundësi që ura të jetë rrëzuar nga rrufeja. 

 

(Kosova Sot)