Për pak nuk vdiq nga sepsa

  • 16 August 2018 - 17:50
Për pak nuk vdiq nga sepsa

Një nënë 32 vjeçe i shpëtoi për pak vdekjes, pasi që mjekët dy herë dështuan që ta vërenin se ajo ishte infektuar nga një bakter fatal i lukthit. Rosie Summers, duke mos e ditur, ishte infektuar me bakterin Clostridium difficile (C. diff) gjatë qëndrimit katër ditor në spital, për ta trajtuar një infeksion të veshkave. Ky bakter i shkaktoi asaj një sepsë - një përgjigje të dhunshme imune ndaj një infeksioni, i cili mund të dalë të jetë fatal, gjatë të së cilës gjendje organizmi sulmon organet e veta, transmeton gazeta "Kosova Sot".

Gjendja e saj u përkeqësua me të shpejtë

Zonja Summers shkoi dy herë në spital, me simptoma të infeksionit me C. diff, duke përfshirë humbjen në peshë, vjelljen dhe barkqitjen, por në të dyja këto raste mjekët nuk e vërejtën praninë e bakterit. Vetëm pasi që Summers, nga Sjurej, kërkoi nga mjeku i saj që t'ia bënte analizat e bakterit të lukthit, asaj iu vu diagnoza e saktë, por tanimë sëmundja kishte çuar deri te gjendja e sepsës. Ajo menjëherë u dërgua në spital dhe iu ofrua një përkujdesje 24 orësh, gjatë një jave. Gjendja e saj u përkeqësua me të shpejtë, gjë që i shqetësoi familjarët dhe miqtë e saj. Summers, e cila tani është shëruar dhe i është kthyer punës së saj si mësuese, thotë se ndihet tepër krenare me veten e saj, meqë gjatë tërë kohës kishte mbetur pozitive, përkundër faktit se i kanosej rreziku që të vdiste. 

Infeksioni i veshkave

Ajo tani apelon nga të tjerët që t'i mësojnë simptomat e sepsës, ku shtypi britanik ka kohë që është duke bërë kampanjë në këtë drejtim, për ta ngritur vetëdijen. Më parë, mjekët ia kishin zbuluar asaj një infeksion të veshkave. Pas katër ditësh ishte liruar në shtëpi, por gjatë dy javëve të ardhshme ajo shkoi dy herë në spital, meqë nuk ndihej mirë, por qëndroi vetëm disa orë. Gjatë këtyre dy javëve, për shkak të vjelljeve dhe barkqitjes, nga 55 kile mbeti vetëm 44 kile. Pasi që i pa simptomat e saj në internet, ajo kërkoi nga mjeku që t'ia bënte analizën ndaj bakterit C. Diff, me ç'rast edhe iu vu diagnoza e saktë dhe filloi ta merrte mjekimin adekuat.

 

(Kosova Sot)