"Fake-komandantët" me Thaçin krijuan "fake-listat" e veteranëve

  • 22 August 2018 - 07:47
Qarri: Mu këta mashtrues, gjoja "veteranë", janë armata e blerë me para të popullit, për vota të Thaçit dhe partive tanimë të kriminalizuara në pushtet për disa mandate me radhë

"Shteti duhet të jetë i barabartë për të gjithë, e ndërsa Hashim Thaçi fryrjen e listave të veteranëve e përdori në mënyrë që këto përfitime të individëve të caktuar të kthehen në votë. Kjo i bie që ata 19 000 mashtrues dhe jo veteranë, kur i shumëzon së paku me 5 deri në 10 vota nga ajo familje, japin shifrën prej 100 000 deri në 200 000 vota të vjedhura e kriminale dhe jodemokratike. E gjëja më e turpshme dhe më banale që mund ta bëjë një president i një shteti është përpjekja e tij në përfitime të vlerave të UÇK-së", thotë analistja Liridona Bislimi për gazetën "Kosova Sot

Analistët dhe qytetarët theksojnë se faktori kohë po tregon që edhe në skandalin e kriminalizuar me lista të veteranëve mashtrues e të rrejshëm të UÇK-së është përfshirë pikërisht Hashim Thaçi me ishkomandantët e tjerë të zonave të gueriles shqiptare të UÇK-së, që ishin mbështetës të vijës së tij, se ata janë vetë kupola e grupeve kriminale që kanë abuzuar me ligjin dhe buxhetin për tanimë gati njëzet vite të tëra, e sidomos 11 vitet e fundit, prej kur Thaçi ka marrë e mban pozitat më të larta në Kosovë. Madje, vetë kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, deklaroi se janë mbi 19 mijë persona  që jashtëligjshëm që kanë përfituar pa merita statusin e veteranit dhe marrin benefite nga shteti. Kjo, sipas analistëve, i bie që ata 19 000 mashtrues dhe jo veteranë kur i shumëzon së paku me 5 deri në 10 vota nga ajo familje, japin shifrën prej 100 000 deri në 200 000 vota të vjedhura e kriminale dhe jodemokratike. Sipas analistëve politikë, pikërisht këta mashtrues, gjoja "veteranë", armata e blerë me para të popullit, për vota të partive tanimë të kriminalizuara në pushtet për disa mandate rresht. Analistët pyesin pse nuk e kemi rastin e mashtrimeve kriminale me listat e veteranëve ende në gjykatë dhe përse në këtë rast duhet kërkuar përgjegjësi direkt nga komandantët dhe vetë ish-shefi i shtabit të UÇK-së, Hashim Thaçi, në kohën kur mijëra familje në Kosovë sot jetojnë me më pak se një euro në ditë dhe nuk përmbushin as nevojat më elementare, nuk kanë ushqim të mjaftueshëm, rroba, strehim, etj. Dhjetëra-mijëra kosovarë mezi presin të liberalizohen vizat, që t'ia mësyjnë Perëndimit në kërkim të një jete më të mirë, të një pune, të dinjitetit njerëzor që është shkelur nga pushtetarët, e në anën tjetër përveç abuzimit me listat e veteranëve dhe zhvatje të përditshme të buxhetit përmes tenderëve qindra milionësh dhe monopoleve qindra milionëshe kriminale, kemi edhe tryezat kinse zyrtare të mafio-oligarkëve që rëndohen nga ushqimet e zgjedhura e pijet e shtrenjta, natyrisht në kurriz të popullit. Analistët pyesin se deri kur kjo kastë e urryer politike jo vetëm që nuk mendon kurrë për mirëqenien e popullit, por është e gatshme t'ua marrë edhe kafshatën e fundit nga goja edhe atë kafshatë që e kanë? 

Kelmendi: Krimi dhe korrupsioni janë në vetë shtetin e Kosovës Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot" thotë se gjendja sociale dhe shoqërore në Kosovë e masave të gjëra është e rëndë."Ka familje në Kosovë që jetojnë me më pak se 1 euro në ditë ose nuk e kanë as një euro. Rritja e numrit të veteranëve të UÇK-së në përmasa të mëdha ka bërë që të kemi varfërim të mjeteve buxhetore", është shprehur ai. Kelmendi shton se politika i ka lejuar me qëllim që vetë të pasurohen dhe të jetojnë në një jetë përrallore dhe shton se ndaj tyre duhet të bëhen hetimet dhe të zhvillohen gjykimet."Por, kjo nuk ndodh sepse policia është e drejtuar nga njerëzit e kapur, që janë në shërbim të politikës dhe të mafisë ekonomike. Kështu është edhe në prokurori dhe në gjykata", është shprehur ai.

Bislimi: Hashim Thaçi fryrjen e listave të veteranëve e përdori në mënyrë që këto përfitime të individëve të caktuar të kthehen në votë Analisti Arsim Haziri për "Kosova Sot" theksoi se ka rritje të padrejtë si dhe shpikje të zonave ose brigadave. Sipas tij, e keqja e këtij vendi ka qenë dhe është mendësia kleptokratike. Politologia Liridona Bislimi për "Kosova Sot" theksoi se presidenti aktual i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi, para disa viteve ish-kryeministër i Kosovës, si dhe ish-drejtor i Drejtorisë Politike të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka qenë i pari që i ka plotësuar listat e veteranëve të luftës, për t'ia hapur rrugën të gjithë ishguerilëve të UÇK-së që të plotësojnë listat për të dëshmuar praninë e tyre në luftën e fundit, e natyrisht në emër të saj u përpoq dhe e shfrytëzoi të përmbushë egon personale për pushtet dhe favore të tjera materiale."Sigurisht është në moralin e secili komb që të nderojë ata që kanë bërë sakrifica për lirinë e tij, por ky nderim kurrë nuk mund të kuptohet si mundësi për të drejta speciale për ta. Kur nderi vihet në shërbim të interesit material, ai pushon se qeni i tillë. Meritat e së kaluarës nuk mund të shërbejnë kurrë për të ndërtuar imunitet personal apo grupor nga ligjet e shtetit". Ajo tutje ka shtuar:"Shteti është mbi të gjithë dhe i barabartë për të gjithë, e ndërsa Hashim Thaçi fryrjen e listave të veteranëve e përdori në mënyrë që këto përfitime të individëve të caktuar të kthehen në votë, kjo i bie që ata 19.000 mashtrues dhe jo veteranë, kur i shumëzon së paku me 5 deri në 10 vota nga ajo familje, japin shifrën prej 100.000 deri në 200.000 vota të vjedhura e kriminale dhe jodemokratike, e gjëja më e turpshme dhe banale që mund ta bëjë një president i një shteti është përpjekja e tij në përfitime të vlerave të UCK-së". Sipas Bislimit, mashtrimet e njëpasnjëshme në të kaluarën, gënjeshtrat e përcjella me premtime koti, janë vetëm disa nga veprimet që e kanë bërë Thaçin t'i humbet besimi i popullit. "Mentaliteti i krijuar nga vetë Hashim Thaçi për karakterin e tij nuk lë hapësirë të kemi besim tek ai. Tashmë po vërehet se populli është lodhur dhe kjo metodë e Thaçit është e papranueshme, sidomos e asaj që po shtirret në emrin e patriotizmit, që më shumë deri sot na kanë sjellë dëme se rezultate. Jeta në Kosovë është bërë e rëndë e pa perspektivë dhe populli tashmë e ka të qartë se kush vërtet është "patriot" dhe kush është " tradhtar". Liberalizimi i vizave dhe integrimi në BE, krijimi i Ushtrisë së Kosovës, finalizimi i dialogut me Serbinë, janë premtimet kryesore për të cilat Thaçi që një dekadë është zotuar vazhdimisht se do t'i zgjidhin. Por deri në realizimin e këtyre premtimeve, për të cilat u mashtruan qytetarët, duket se vendin e pret një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Kosova e pasluftës është shkatërruar nga presidenti i luksit, i cili është kujdesur mirë për veten e tij sa u përket benefiteve, pagave të majme dhe luksit të shfrenuar. Por jo edhe për zhvillim ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve", është shprehur ajo. Analisti Ali Hertica për "Kosova Sot" thotë se mashtrimi dhe turpi nuk kanë të ndalur në të gjitha institucionet e shtetit të Kosovës ku pa fije turpi liderët politikë dhe ata institucionalë tregohen aq naivë dhe pa ndërgjegje personale, kombëtare e shtetërore, ku në këtë pjesë është si një komandë z. Agim Çeku, i cili ka qenë ministër, kryeministër, ish-shef i shtabit të UÇK-së dhe që ka pasur funksione të tjera, e ka dorëzuar një listë të tillë dhe aq të fryrë.

QARRI: HASHIM THAÇI ME KOMANDANTËT E VIJËS SË TIJ JANË VETË KUPOLA E GRUPEVE KRIMINALE

Analisti Gani Qarri për "Kosova Sot" thotë se pikërisht skandali i kriminalizuar me veteranët mashtrues e të rrejshëm, frika e prokurorëve për t'u marrë me çështjen e tyre deri në fund, koncesionet kokë më vete në dobi të Serbisë etj., po dëshmojnë edhe një herë më tepër se Hashim Thaçi me komandantët e tjerë mbështetës të vijës së tij janë vetë kupola e grupeve kriminale që kanë abuzuar me ligjin dhe buxhetin e shtetit, mbi të cilin qëndrojnë ata, për tanimë gati njëzet vjet të tërë, e sidomos 11 vitet e fundit, prej kur Thaçi ka marrë e mban pozitat më të larta politike në Kosovë."Ndaj vetë kryeprokurori i 'Pronto-shtetit', Aleksandër Lumezi, përfundimisht u detyrua të deklarojë se janë mbi 19 mijë persona që jashtëligjshëm kanë përfituar pa meritë statusin e veteranit dhe marrin pa të drejtë benefite nga shteti. Kjo i bie që ata 19 000 mashtrues dhe jo veteranë kur i shumëzon së paku me 5 deri në 10 vota nga familjet e secilit prej tyre, japin shifrën prej 100 000 deri në 200 000 vota të vjedhura e kriminale dhe jodemokratike. Mu këta mashtrues, gjoja "veteranë", janë armata e blerë me para të popullit, për vota të Thaçit dhe partive tanimë të kriminalizuara në pushtet për disa mandate me radhë. Frika e prokurorëve dhe ikja para dërgimit të lëndëve në gjykatë, si në rastin e fundit të z. Blakaj, i cili nën kërcënime u detyrua të vendoset në SHBA, ka bërë që ende të mos kemi rastin e mashtrimeve kriminale me lista të veteranëve në gjykatë, rast për të cilin po të kishte ky vend drejtësi të njëmendtë duhet kërkuar përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga komandantët dhe vetë ish-shefi i shtabit të UÇK-së, Hashim Thaçi. Përderisa mijëra familje në Kosovë sot jetojnë me më pak se një euro në ditë dhe qindra të tjera përkundër gjendjes së mjerueshme ekonomike, disa prej të cilave edhe me fëmijë e anëtarë të tjerë të sëmurë, largohen nga skema e ndihmave sociale, megjithëse nuk përmbushin as nevojat më elementare për jetesë, nuk kanë ushqim të mjaftueshëm, rroba, strehim, etj. Për para të përfituara nga komandantët shtohen edhe dhjetëra mijëra veteranë të paqenë, të cilët rëndojnë buxhetin e Kosovës për qindra miliona euro në vit. Për aq më keq, përderisa politikanët e kriminalizuar vendorë qëndrojnë mbi ligjet dhe shtetin e Kosovës, do të vazhdojë edhe më tej të vidhet e zhvatet buxheti i tatimpaguesve kosovarë dhe me parat e mundit të tyre do të paguhen veteranet mashtrues për t'i blerë dhe siguruar votat e pushtetarëve të inkriminuar", është shprehur analisti Qarri. 

RESHITI: KOMANDANTËT E "SHTABIT TË MILIONERËVE" SI SYNIM PARËSOR KANË PASUR PËRFITIMET PERSONALE

Analisti politik, Ymret Reshiti, për gazetën "Kosova Sot" thotë se çështja e listave të fryra, me 19 mijë veteranë të rrejshëm, është një skandal i madh për Kosovën."Ky rast paraqet jo vetëm korruptim të të mirave materiale që ofron buxheti i shtetit, por paraqet rast eklatantë të shpërdorimit dhe nëpërkëmbjes së vlerave morale dhe njerëzore si shoqëri. Është vërtet turpëruese të tentosh të përfitosh nga buxheti i shtetit në emër të "detyrës patriotike", të cilën nuk ke arritur ta bësh kur ishte koha. Akti i mashtrimit për të përfituar statusin e veteranit të UÇK-së është i barabartë me aktin e tradhtisë të atij qytetari, i cili ka ikur nga detyra e shenjtë për ta mbrojtur atdheun. Se vërtet komandantët e "shtabit të milionerëve" si synim parësor kanë pasur përfitimet personale, kjo dëshmohet me veprimet e tyre që kanë legjitimuar së paku 19 mijë mashtrues, të cilëve ua dhanë statusin si veteran të luftës së UÇK-së, pa e merituar. Por shifrat e veteranëve të rrejshëm nuk përfundojnë këtu, dyshohet se shifrat janë më të mëdha. Sipas disa të dhënave, nuk ka më tepër se 8 mijë pjesëtarë të luftës së UÇK-së. Krijimi i batalioneve dhe brigadave fiktive si ajo "Hasan Prishtina", fryrja enorme e listave me veteranë të rrejshëm, fitimi i gradave ushtarake pa asnjë kriter, ka bërë që të zbehen dhe të zhvleftësohen dukshëm vlerat e vërteta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", është shprehur analisti Rushiti. Sipas tij, dikush duhet të mbajë përgjegjësi për dëmtimin e vlerave sublime që ia ka bërë emblemës së Kombit - Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

BADALLAJ-ZHURIANI: SISTEMI GJYQËSOR I KALBUR ËSHTË VETË KUPOLA E KRIMIT

Ndërsa analisti Reshat Badallaj për gazetën "Kosova Sot" theksoi se pa më të voglin dyshim këta janë kupola e krimit dhe banda mafioze që e vodhën shtetin dhe këta janë kriminelët antikombëtarë dhe antishtetërorë, që duke përfituar vetë në Kosovë e kanë rritur varfërinë deri në skajshmëri."Këta e kanë kapur shtetin me vota të manipuluara, vota të vjedhura dhe se qëllimi i tyre ka qenë si ta vjedhin Kosovën deri në palcë. Ky rrjet është shumë i rrezikshëm i kanaleve të nëntokës kriminale, që nuk ka klan mafioz dhe banditë në tërë Ballkanin, me të cilët nuk bashkëpunojnë", është shprehur Badallaj. Ai tutje ka shtuar:"Me këtë skandal tashmë u hoq maska e maskarenjve, maska e hajnave dhe banditëve. Për të qetësuar shpirtrat e popullit sa më parë duhet burgosur kryebanditët dhe banditët e kësaj bande mafioze, duke filluar nga Hashimi i Brojës që personalisht kurrë nuk i kam thënë president e deri te kapot e hajnisë, që unë nuk mund t'u them komandantë", është shprehur ai.

ZEQA: DISA NGA ISH-KOMANDANTËT E LUFTËS JANË VETË KUPOLA E GRUPEVE KRIMINALE QË KANË ABUZUAR LIGJIN DHE BUXHETIN E SHTETIT PËR GATI NJËZET VJET RRESHT

Analisti Florim Zeqa për gazetën "Kosova Sot" theksoi se megaskandali i kriminalizuar me veteranët mashtrues e të rrejshëm është dëshmia e pamohueshme se disa nga ish-komandantët e luftës janë vetë kupola e grupeve kriminale që kanë abuzuar ligjin dhe buxhetin e shtetit për gati njëzet vjet rresht."Edhe përkundër akuzës së ngritur në muajin korrik nga prokurori i posaçëm, Elez Blakaj, ndaj 12 eksponentëve të UÇK-së për mashtrimet kriminale me lista të veteranëve, ende nuk është dorëzuar në gjykatë, shkaku i interferimit në punën e Prokurorisë së Shtetit nga ish-komandantët e akuzuar dhe vetë shefi i shtabit të UÇK-së dhe komandantët e Zonave Operative. Situata e krijuar tregon pamundësinë e ushtrimit të funksionit në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale, gjë që i detyron prokurorët me integritet profesional të dorëhiqen. Në fakt, dorëheqja e prokurorit të posaçëm, Elez Blakaj, tregon për dështimin e sistemit prokurorial për të mbajtur në radhët e veta prokurorë me integritet, të cilët janë të gatshëm të përballen me sfidat e kohës. Veteranët mashtrues janë një armatë e blerë me para të popullit, për vota të partive të kriminalizuara në pushtet dhe opozitë për disa mandate rresht", është shprehur analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot". Ai shton se kontingjenti më i madh i veteranëve të rrejshëm është produkt i proceseve elektorale, gjegjësisht i blerjes së votave në këmbim të certifikatës së veteranit.

Qytetarët, të zhgënjyer me komandantët e dikurshëm të zonave të UÇK-së Edhe qytetarët e anketuar thonë se janë të zhgënjyer tej mase me komandantët e dikurshëm të Zonave të UÇK-së, të cilët për para i kanë fryrë listat e veteranëve të luftës. Qytetari nga Prishtina, Hakif Hamiti, për gazetën "Kosova Sot", thotë se nuk ka asnjë dyshim se përgjegjësi dhe kreatori i këtyre listave të veteranëve të rrejshëm të UÇK-së është vetë Hashim Thaçi, i ndihmuar nga komandantët e zonave dhe kjo është bërë me qëllim të krijimit të militantëve partiakë të partive të krahut të luftës."Andaj Hashim Thaçi dhe ishkomandantët që i frynë këto lista veteranësh duhet që të japin përgjegjësi para organeve të drejtësisë", është shprehur ai. Ndërsa qytetari tjetër nga Prishtina, Ramadan Ferizi, për gazetën "Kosova Sot" theksoi se është për keqardhje sjellja e autoriteteve shtetërore të Kosovës me prokurorin Blakaj, i cili iku në SHBA nga presioni që ka pasur për ndriçimin e këtij rasti.

(Kosova Sot)