Organet e drejtësisë janë të kapura nga oktopodi i mafisë politike

  • 22 August 2018 - 07:53
Organet e drejtësisë janë të kapura nga oktopodi i mafisë politike
Ahmeti: Mbijetesa e njerëzve të korruptuar e të kriminalizuar është falë kapjes së sistemit nga mafio-oligarkët dhe strukturat kriminale të nëntokës

"Në Kosovë ligji vlen vetëm për qytetarin e thjeshtë, por kur janë në pyetje matrapazët dhe bosët politikë, që në fakt janë edhe bosë të krimit të organizuar, atëherë ligji nuk vlen për ta. Pra, kemi drejtësi selektive. Organet e ligjit dhe të drejtësisë në përgjithësi janë të kapur nga oktopodi i mafisë politike dhe të komandantëve", thotë analisti Naim Miftari për gazetën "Kosova Sot"

Zhvillimet e fundit rreth rastit të dorëheqjes së prokurorit të Prokurorisë Speciale, deklarimet e zyrtarëve të lartë për punën e prokurorit dhe 'qetësia' që kanë ka kapluar hallkat e sistemit të ligjit në vend, po vërteton se Kosova tashmë është zhytur thellë në anarki, ku sistemi i drejtësisë ka kohë që është në kolaps. Analistë dhe njohës të fushës së drejtësisë kanë thënë për "Kosova Sot" se Kosova është shndërruar në një shtet anarkist, ku asnjë institucion nuk funksionon me ligj, me ministra nën hetime, për dyshime për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, me prokurorë dhe gjykatës me ndikim politik dhe të lidhur me nëntokën kriminale. Ata kanë thënë se askush nuk dha llogari e as u mor në përgjegjësi për krimet politike, tenderët qindra milionësh, për monopole kriminale e blerje të votave me para të pista të nëntokës kriminale. Për më keq një situatë e tillë nuk ka shenja se do të ndryshojë.

Përfitues nga kaosi, pushtetarët Analisti Blerim Burjani, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se në Kosovë sundojnë anarkia dhe vullneti partiak. Sipas tij, nuk ka vullnet politik për të ndërtuar shtet ligjor, llogaridhënës, por ndodh e kundërta, askush nuk jep përgjegjësi për asgjë, nuk ka gjyqësor të pavarur që do të ndalte njerëz që thuhet se merren me politikë e në fakt merren me biznes dhe me kontrollim të pasurive publike."Pse Kosova i ka 21 ministri dhe 89 zëvendësministra dhe një kallaballëk koordinatorësh analfabetë në dialogun politik. Ka njerëz që nuk marrin vesh asgjë nga e drejta vendore as ndërkombëtare. Përplot analfabetë e kanë pushtuar Kosovën dhe qeverisin me pronat publike dhe ndërmarrjet. Vetëm qytetarët mund të gjejnë zgjidhje nga ky kaos politik dhe institucional, po qe se vetëdijesohen e nuk votojnë njerëz të korruptuar dhe analfabetë, në të kundërtën Kosova do të qeveriset kështu me korrupsion, me pabarazi qytetare para ligjit dhe përfitues të të gjitha llojeve dhe profileve", ka pohuar analisti Burjani për gazetën "Kosova Sot".

Instrumentalizimi politik Hidajt Ahmeti, njohës i fushës së drejtësisë, ka thënë për "Kosova Sot" se piramida kriminale e ndërtuar për më shumë se një dekadë ka funksionalizuar falë hierarkisë institucionale, e cila është instrumentalizuar nga politika. Sipas tij, politika e saktësisht pushtetet e pasluftës e kanë instrumentalizuar çdo institucion publik të pavarur duke transformuar në shërbim të klientelës, nepotizmit e klientelizmit. "Kjo logjikë e instrumentalizimit politik përmes pushteteve të pasluftës ka prodhuar një gjendje të rëndë socioekonomike, e mbi të gjitha një anarki totale në institucionet publike. Nga ky kaos i funksionimit të institucioneve publike është prodhuar një realitet i pajetushëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, i cili realitet çdo ditë e më shumë po e ngufat jetën institucionale, ekonomike e sociale", ka thënë ai. Kurse, ka pohuar më tej Ahmeti përmes tendermonisë kanë instaluar një klimë të pafavorshme për operatorët ekonomik të sinqertë e seriozë, duke kurdisur tenderët për klientelën e tyre biznesore, të cilët kanë financuar subjektet e tyre në kohë fushate."Kjo ndërlidhje në mes pushtetit të korruptuar e kriminal me një pjesë të bizneseve të pista ka ndërtuar perandori të paluhatshme pushtetore, duke prodhuar pushtete të korruptuara në të dyja nivelet, të pushtetshëm dhe komod në karrigen e tyre. Gjykoj së në të dy nivelet e pushteteve të Republikës së Kosovës ka vend për Prokurorinë e Shtetit, duke hetuar udhëheqësit e institucioneve për keqpërdorimet milonionëshe e njëkohësisht duke i sanksionuar ata. Instalimi i frymës së ligjit e vënies në binar drejtësinë objektive, të drejtë e të paanshme do të prodhonte një standard të ri të politikës, duke disiplinuar udhëheqësit e institucioneve e duke instaluar një kulturë politike e mirëfilltë, e cila do të punonte e vepronte brenda kornizës ligjore dhe interesit publik", ka pohuar ai. Po sipas analistit Hidajet Ahmeti korrupsioni në një shtet është kancer për shoqërinë dhe vrasje e të ardhmes së asaj shoqërie. Andaj, sipas tij, mbijetesa e njerëzve të korruptuar e kriminalizuar në një shoqëri tranzicionale është falë kapjes së sistemit nga mafio-oligarkët dhe strukturat kriminale të nëntokës. Ai ka potencuar më tej se është fakt i pamohueshëm se korrupsioni e krimi nuk luftohet nga të korruptuarit e të kriminalizuarit është shumë logjikë e thjeshtë, pasi ata nuk e luftojnë veten. "Për të luftuar krimin e korrupsionin duhen të plotësohen disa parakushte, të cilat e determinojnë rrjedhën e proceseve të pastra drejt pastrimit e verifikimit të zyrtarëve publikë, të cilët janë të përfshirë në krim e korrupsion. Në situatën aktuale në Kosovë, gjithherë duke marrë për bazë konstelacionin politik qeverisës, shtetit të Kosovës i duhet një presion nga jashtë për ta futur drejtësinë në binarë të duhur e të domosdoshëm, pasi konstelacioni qeverisës nuk e ka vullnetin minimal për t'i shtyrë këto procese përpara", ka potencuar Ahmeti.

MIFTARI: KOSOVA DO TË SUNDOHET NGA MAFIA POLITIKE GJERSA POPULLI YNË NUK REAGON

Analisti Naim Miftari ka thënë për "Kosova Sot" se vetëm qytetarët mund të nxjerrin vendin nga kjo anarki, me reagimin tyre. Ai ka thënë se Kosova do të sundohet nga mafia politike gjersa populli ynë nuk reagon kundër kësaj situate dhe siç ka thënë ai kundër atyre njerëzve të maskuar në petkun e politikës."Në Kosovë ligji vlen vetëm për qytetarin e thjeshtë, por kur janë në pyetje matrapazët dhe bosët politikë, që në fakt janë edhe bosë të krimit të organizuar atëherë ligji nuk vlen për ta. Pra, kemi drejtësi selektive. Organet e ligjit dhe drejtësisë në përgjithësi janë të kapura nga oktopodi i mafisë politike dhe të komandantëve", ka thënë Miftari, duke shtuar se pa faj nuk janë edhe shumë ndërkombëtar, të cilët krijuan dhe instaluan në pushtet një klasë politike që do ta të vidhnin edhe pasurinë e prindërve të tyre, e jo më pasurinë publike dhe të popullit."Kur ne si shqiptarë e vjedhim vendin dhe shtëpinë tonë, pse mos të kullosin edhe zyrtarët e korruptuar ndërkombëtarë", ka pohuar Miftari për "Kosova Sot".

PRETENI: . PA PROKURORI TË PAVARUR NUK KEMI SUNDIM TË LIGJIT!

"Asgjë nuk duhet të jetë e njëjtë pas deklaratës së prokurorit Elezaj dhe se gjërat duhet lëvizur. Kjo Kosovë nuk e meriton këtë gjendje. Pa prokurori të pavarur nuk kemi sundim të ligjit. Janë të kota të gjitha deklaratat, ndryshimet kozmetiko-ligjore, rritje pagash.Të gjitha janë të kota, për mungesë të faktorit njeri. Njëri në kuptimin e plotë të fjalës, profesional dhe të përkushtuar, prokuror profesional dhe të pavarur. Ky duhet të jetë sinjali për të gjithë dashamirët e shtetit. Çka është mjaft, mjaft është", ka pohuar ish-kreu i Agjencisë Antikorrupsion, Hasan Preteni, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)