Mafio-oligarkët e nëntokës kriminale po i trembin investitorët

  • 22 August 2018 - 07:56
Mafio-oligarkët e nëntokës kriminale po i trembin investitorët
Aliu: Pengesat kryesore për investime në Kosovë janë korrupsioni politik dhe krimi i organizuar 

Analistët të fushës së ekonomisë dhe deputetë të opozitës alarmojnë se klasa politike e inkriminuar në të dyja nivelet, bashkë me mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, po i trembin investitorët, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë mbi ligjin. Andaj, sipas ekspertëve të kësaj fushe të ekonomisë, korrupsioni politik dhe krimi i organizuar janë pengesat kryesore për investimet në Kosovë. Sipas tyre, Kosova paraqet një udhëkryq interesant rajonal, me burime natyrore, pasuri nëntokësore dhe një terren të përshtatshëm për investime, por as pas gati dy dekadash nuk po arrin që të jetë konkurrente në tërheqjen e investimeve të huaja dhe zakonisht kompanitë me renome, edhe kur vijnë në Kosovë, afarojnë me kapitalin kryesor nga buxheti i taksapaguesve kosovarë, si në rastin e 'Bechtel-Enkas', që ndërton autostrada, apo kur blejnë kompani publike me vlerë. Sipas tyre, asnjë investitor nuk po rrezikon që të sjellë milionat e tij në vendin tonë. Analistët thonë se Kosova po vazhdon që të jetë një shtet me zhvillim jopremtues ku fuqia punëtore, shumica e pakualifikuar, perspektivën e vet e sheh te punët fizike në Evropën Perëndimore, ndërkaq në Kosovë paratë e qytetarëve, pra të buxhetit, vazhdojnë të zhvaten nga pushtetarët e inkriminuar në të dyja nivelet, bashkë me mafio-oligarkët e nëntokës kriminale.

Salihu: Siguria për të bërë investime në Kosovë është tepër e vogël Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu për gazetën "Kosova Sot" thotë se me këtë garniturë pushtetarësh nuk ka investime të huaja në Kosovë, sepse asnjë investitor serioz nuk po rrezikon që të sjellë milionat e tyre në vendin tonë. "Kjo është pikërisht arsyeja, sepse siguria për investime në Kosovë është tepër e vogël. Veç saj, ka ndodhur në disa raste që pushtetarët tanë u kanë kërkuar investitorëve të huaj edhe të jenë bashkë-aksionarë. Ka pasur edhe raste të tilla kur në çfarëdo projekti pushtetarët e nivelit të lartë, qendror apo komunal, investitorëve të huaj nuk u kanë dhënë asnjë shans që ndonjë projekt i tyre të implementohet, pasi që përmes institucioneve, qofshin komunale apo qendrore, u kanë krijuar investitorëve të huaj potencialë barriera të patejkalueshme të shantazhit, të cilat do ta zmbrapsin çdo investitor prapa. Kjo po ndodh ngase pa dhënë mitë apo nëse kompanitë e interesuara nuk i përfshijnë në një formë a tjetër njerëzit e pushtetit në biznesin e tyre, gjasat që të kenë sukses në nismat e tyre janë minore", është shprehur deputeti Salihu. Analisti i ekonomisë, Artan Haziri, për gazetën "Kosova Sot" theksoi se është për keqardhje që investimet në Kosovë nuk janë në masën e nevojshme. "Për të thithë investime duhet krijuar kushte dhe siguri të investimeve. Kjo kërkon kohë, vendosmëri dhe politika adekuate që të arrihet. Nuk është filluar si duhet nga qeveria e parë pas lufte dhe pastaj është vazhduar njëjtë nga qeveritë njëra pas tjetrës. Mafio-oligarkia e ka të qartë se investimet duhet stimuluar dhe të mos pengohen me mënyra të ndryshme. Shteti kërkon të jetë hisetar ( % ) i investimeve dhe kjo është njëra nga goditjet që u bëhet investitorëve dhe ata po largohen çdo ditë. Nëse nuk je pjesë e bizneseve të mafio-oligarkisë, nuk ecën para", është shprehur ai. Shton se është detyrë e qeverisë sjellja e investimeve me politika adekuate. "Problem tjetër është se edhe punëtorët nuk janë të aftë për kryerjen e punëve të ndryshme. Këtu fajtor është sistemi arsimor. Mafio-oligarkia e ka krijuar rrjetën e merimangës dhe çdoinvestitor e ndalon fillimisht dhe e merr në pyetje. Nëse ju lejon pjesëmarrje në investim, fillon investimi, ndryshe nuk ka investim. E kjo në masë të madhe i largon investitorët në shtetet afër nesh, qofshin ata mërgimtarë ose të huaj. Popull, ngrihu në këmbë sa nuk është vonë", theksoi Haziri për "Kosova Sot".


Grapci: Gjykatat kanë frikë që të merren me hetimin e pushtetarëve Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot" theksoi se klasa politike që është e inkriminuar në të dyja nivelet, në bashkëpunim me mafio-oligarkët, çdo ditë po e frikësojnë investitorin vendor apo ndërkombëtar."Normal që pengesë për investime në Kosovë janë korrupsioni dhe krimi i organizuar, ku gjykatat po kanë frikë të merren me pushtetarët ose janë të përfshirë edhe prokurorët dhe gjykatësit në korrupsion", është shprehur ai. Thotë se duke e ditur që Kosova e ka bukurinë e saj të rrallë, ku shumë vizitorë nga vende të huaja kur vijnë në pushime apo në vizita mahniten me shkëlqimin që vijnë nga malet e Kosovës, me bukurinë e saj gjeografike e shumë tjera, por ata nuk e dinë që partitë politike që janë në pushtet po e ngulfasin këtë bukuri të Kosovës. Një shembull i tillë analisti Grapci thotë se ka ndodhur në rastin e projektit BOREA, ku, sipas tij, kanë marrë pjesë shumë kompani në këtë garë dhe në momentin që kompania e ka fituar tenderin e ka ndryshuar emrin. Ai shton se ka kurdisje të tenderit.

Kadriaj: Ligji shërben vetëm si letër Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën "Kosova Sot" thotë se me kushtet natyrore, me një reliev të përshtatshëm për zhvillimin e kulturave bujqësore dhe zhvillim ekonomik, po ashtu edhe me pasuri nëntokësore konkurrente edhe në nivel botëror dhe me sasi aq të madhe të linjitit, Kosova garanton energji për treg të brendshëm dhe eksport. Sipas tij, si rezultat i keqqeverisjes që nga paslufta Kosova vazhdon të jetë një vend ku ligji është në letër, ndërsa ligjin e bëjnë mafio-oligarkia në vend dhe për këtë arsye ikin investitorët. "Kosova nuk mund të ketë bum ekonomik, sepse ende është e hendikepuar për shkak të barrierave që i ka për lëvizje të lirë dhe qarkullim të mallrave, por me një qeverisje të dinjitetshme Kosova do të konsolidonte veten dhe do të kishte një zhvillim ekonomik duke u siguruar qytetarëve një jetë normale dhe mirëqenie. Si të gjitha qeveritë edhe kjo e tanishmja nuk tregoi që është për zhvillim ekonomik, por vetëm t'i ofrojë vetes komoditet", është shprehur ai. Analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot" theksoi se nuk ka asnjë dyshim se klasa politike e inkriminuar në të dyja nivelet, bashkë me mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, po i tremb investitorët, të cilët vazhdimisht qëndrojnë mbi ligjin. "Gjithsesi pengesa kryesore për investime në Kosovë është korrupsioni politik dhe krimi i organizuar. Ndonëse Kosova paraqet një udhëkryq interesant rajonal, me burime natyrore, pasuri të lartë nëntokësore dhe një terren të përshtatshëm për investime, është për keqardhje që edhe tani, pas gati dy dekadave nuk po arrin që të jetë konkurrente në tërheqjen e investimeve të huaja dhe zakonisht edhe kompanitë me renome kur vijnë në Kosovë, afarojnë me kapitalin kryesor nga buxheti i taksapaguesve, apo edhe kur blejnë kompani publike me vlerë", është shprehur ai. Sipas tij, me këtë Kosova vazhdon të jetë një shtet jopremtues, ku fuqia punëtore është shumica e pakualifikuar, ku perspektivën e vet e sheh në punët fizike në Evropën Perëndimore, ndërkaq në Kosovë paratë e qytetarëve, pra të buxhetit, vazhdojnë pandalshëm të zhvaten nga pushtetarët e inkriminuar, në të dyja nivelet, bashkë me mafia-oligarkët e nëntokës kriminale.

Istogu: Investitorëve të huaj fjalë të ëmbla për rrugën e minuar Analisti i ekonomisë, Zekim Istogu, për "Kosova Sot" theksoi se investitorët gjithmonë gjejnë fjalë të ëmbla nga pushtetarët për të investuar në Kosovë, por pas hulumtimit të mundësive për investime, ata gjejnë një terren të mbushur me plot të panjohura e probleme, të cilat i detyrojnë të bëhen ortakë me kompanitë e lidhura me pushtetin, të korruptojnë pushtetarët ose të tërhiqen."Kosova, si asnjë vend tjetër në rajon, posedon të gjitha resurset natyrore dhe njerëzore për investime, me një rentabilitet të lartë për kthim të investimeve. Problemi i vetëm janë korrupsioni i lartë dhe joserioziteti i institucioneve për zbatimin e ligjeve", është shprehur ai. Sipas Istogut, me këto kushte nuk ka investime të huaja, sidomos jo nga vendet e BE-së. Analisti i ekonomisë, Hazbi Kadriu, për "Kosova Sot" theksoi se, për fat të keq, jemi bërë vend që tregon një pasqyrë jo të mirë të bërjes biznes apo të ardhjes së investitorëve të huaj në vend për të investuar këtu. "Kemi raste të ndryshme, të shfaqura edhe publikisht në mediat tona, se investitorë të shumtë që kanë ardhur këtu kanë ardhur në formën e vizitës disaditore, pasi që e kanë kuptuar se investime të tilla të bëhen në Kosovë pothuajse është e vështirë, pasi që bindja e tyre është se këtu duhet të ndiqen edhe rrugë të tjera joligjore, si kundërshpërblim për nisjen e një biznesi të caktuar janë tërhequr", është shprehur ai.

(Kosova Sot)