Kalasë në Vërbofc i kanë mbetur vetëm themelet

  • 27 August 2015 - 19:29
Kalasë në Vërbofc i kanë mbetur vetëm themelet

Kjo kala ishte hulumtuar pas Luftës së Dytë Botërore, por pastaj ishte lënë në harresë

“Kam dëgjuar se pas Luftës së Dytë janë bërë gërmime dhe janë gjetur rreth 30 kufoma njerëzish, mirëpo nuk e di nëse i kanë identifikuar. Mirëpo, siç thoshin më të vjetrit, ata njerëz që i kanë gjetur, trupat e tyre kanë qenë mjaft të mëdhenj, jo sikur të njerëzve të sotshëm, gjë që tregonte se atë kohë njerëzit kanë qenë më të zot me trup”, ka thënë Gashi

Dikur njihej si vendi ku qëndronin ushtarët turq gjatë pushtimit osman dhe të cilët mbanin frontin gjatë luftërave që bëheshin. Kishte mure të larta, me gurë të mëdhenj, të ndarë në dhoma, të cilat ishin të gjera dhe në të bënin gjumin ushtarët. Është kjo Kalaja e fshatit Vërbofc të Drenasit që sot i kanë mbetur vetëm themelet. Pavarësisht që muret i janë shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore, themelet që kishin mbetur në tokë tregojnë se sa e madhe kishte qenë, e shtrirë në dy kodra. Edhe pse para shumë vitesh në këtë kala qëndronin ushtria, tani aty pari tani mrizojnë delet e çobanit 41-vjeçar, Rashit Gashi. “Kjo kala është tejet e vjetër. Nuk e di me vite saktë sa i ka, mirëpo siç kam dëgjuar i takon kohës kur Turqia pushtoi trojet shqiptare. Thuhet se ka qenë kala tejet e madhe, në të cilën janë strehuar ushtarët turq dhe kanë mbajtur frontin gjatë luftërave", ka thënë ai. Të ngjitesh në këtë kala nuk është fare e lehtë, sepse është një lartësi mbi 800 metra, mirëpo kjo nuk e pengon Rashitin që brenda ditës shumë herë të hipë në këtë kala. “Edhe pse tani i kanë mbetur vetëm themelet dhe vërehet se si kanë qenë të ndara dhomat, nga poshtë kur e shikon nuk të tërheq ta hipësh lart, pasi që është një lartësi mbi 800 metra. Mirëpo, mua nuk më pengon kjo dhe brenda ditës deri në 15 herë unë ngjitem këtu për të mbledhur delet, të cilat kullosin këndej", është shprehur ai, duke shtuar se themelet e saj kanë qenë të gjera rreth dy metra. "Dhomat kanë qenë të mëdha dhe, siç thoshin të vjetrit, kanë qenë 4 me 4. Po ashtu, edhe muret e saj kanë qenë të larta, e edhe të gjera rreth dy metra, pra ka qenë një ndërtim tejet gjigant, sipas asaj që kam dëgjuar", thekson 41-vjeçari. (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)