Edi Rama bëri show me Vuçiqin në Vjenë, por Shqipëria përfitoi më së paku

  • 28 August 2015 - 20:09
Edi Rama bëri show me Vuçiqin në Vjenë, por Shqipëria përfitoi më së paku

Shqipëria jo vetëm nuk ka gjetur mbështetje për projektet infrastrukturore dhe energjetike në samitin e Vjenës, por vendi rezulton me mbështetjen më të vogël financiare nga Bashkimi Evropian edhe për çështjen e migracionit dhe menaxhimit të kufijve në Ballkan.

Ky fakt evidentohet nga dokumenti i publikuar nga Komisionit Evropian gjatë samitit të Vjenës, kushtuar së shumti çështjes së emigracionit klandestin në BE dhe azilkërkuesve nga Ballkani.

Shqipëria ka përfituar më pak se të gjitha vendet kandidate dhe madje edhe më pak se Bosnja dhe Kosova, që nuk janë ende kandidate për anëtarësim në BE. Në këtë dokument, Komisioni Evropian evidenton asistencën financiare për secilin vend të Ballkanit në kuadrin e fondeve IPA për çështjen e emigracionit në perspektivën financiare 2007- 2013 dhe 2014- 2020.

Nga ky dokument rezulton, se Serbia ka përfituar 54 milionë euro në tërësi për çështjet e migrimit. 45 milionëve që prej vitit 2007 u janë shtuar edhe 8,2 milionë euro, që do të përdoren vitin e ardhshëm për aftësitë pritëse për emigrantët, për zbatimin e reformës së azilit dhe sistemin e mbikëqyrjes.

Maqedonia ka përfituar në tërësi 24 milionë euro, prej të cilave 1,2 milion euro janë parashikuar të jepen për vitin e ardhshëm për rinovimin e posteve të policisë, menaxhimin e trafikut të qenieve njerëzore dhe të forcimin e kapaciteteve të posteve kufitare.

Mali i Zi ka përfituar 22, 6 milion euro, prej të cilave 2, 63 milionë të parashikuara për periudhën 2018-2020. Bosnja ka përfituar 10,5 milionë euro, prej të cilave 2 milionë euro për 2015, Kosova përfiton 7,1 milionë euro, prej të cilave 2,5 milionë parashikohen për vitin e ardhshëm.

Shqipëria radhitet e fundit në rajon në këtë aspekt edhe për buxhetin total, por edhe për buxhetin për vit. Ajo përfiton në tërësi 4,5 milionë euro dhe për Shqipërinë në dokument cilësohet thjesht se buxheti indikativ për menaxhimin e kufijve për vitin 2015 është 1,5 milion euro, transmeton lapsi.al.