12-vjeçarja var veten pasi nëna i vdiq nga kanceri në gji

  • 28 August 2015 - 20:49
12-vjeçarja var veten pasi nëna i vdiq nga kanceri në gji

Një vajzë dymbëdhjetëvjeçare, nëna e së cilës kishte vdekur si pasojë e kancerit në gji, e ka vrarë veten, pasi ka postuar fotografi në ‘Instagram’, ku shihej duke e lënduar veten. Kështu është raportuar në gjykimin që është mbajtur në lidhje me këtë rast, transmeton Kosova Sot Online.

Nuk ndihmuan këshillat

Isabel Ann Richardson, nga Norviqi i Anglisë, kishte pasur probleme të mëdha, meqë ishte ndjerë ‘e pavlerë’ dhe ‘e zbrazët’ pasi  nëna e saj, Karina, kishte vdekur si pasojë e sëmundjes në vitin 2010. Mirëpo, përkundër faktit që atë e kishte këshilluar një infermiere në Shkollën e saj ‘Hewett’, ajo nuk ia kishte dalë ta mposhtte mërzinë dhe më 12 maj të këtij viti ishte gjetur e varur në dhomën e saj të fjetjes, nga babai i saj.

Më herët gjatë asaj mbrëmje, babai i Isabel-ës, Stephen Richardson, ishte telefonuar nga vëllai i saj për shkak të disa fotografive shqetësuese, të cilat ajo i kishte postuar në internet. Pasi që me vrap kishte shkuar në shtëpi, ai ishte futur në dhomën e saj të gjumit për të parë nëse gjithçka ishte në rregull dhe pikërisht aty e kishte gjetur të varur. Vajza ishte dërguar menjëherë në spital, mirëpo nuk kishte arritur të mbijetonte, duke ndërruar jetë gjashtë ditë më vonë.

Lëndoi veten qëllimisht

Në gjykatë është thënë që Isabel-a i kishte treguar babait të saj që ajo po mundohej ta lëndonte veten në mënyra të ndryshme, plot pesë javë para se të vdiste. Si rrjedhojë ata ishin takuar me një infermiere, e cila i kishte mbajtur ligjërata, të cilat, sipas Isabel-ës, i kishin ndihmuar shumë që ta gjente lumturinë.

“Kam qenë në dijeni të faktit që ajo e ka lënduar veten qëllimisht, disa herë madje, mirëpo asnjëherë nuk e kam menduar që ajo do të shkonte kaq larg, duke i dhënë fund jetës. Gjithmonë do të mendoj se kam mundur të bëj më tepër”, ka thënë babai i dëshpëruar.

Në gjykatë është thënë edhe që Isabel-a mund të mos ketë qenë duke bërë përpjekje të vetëvritej, pasi, sipas tyre, gjesti i saj mund të ketë qenë një formë e kërkimit të ndihmës.

(Kosova Sot)