Klemendi: Kushtetuta e ndalon bisedimin për territoret

  • 20 September 2018 - 17:08
Klemendi: Kushtetuta e ndalon bisedimin për territoret

Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se është fakt që këto veprime të presidentit përbëjnë shkelje flagrante të Kushtetutës, aktit më të lartë juridik të shtetit."Asnjë veprim vetëm për vetëm Kosovë-Serbi nën drejtimin e evropianëve nuk duhet ta përkrahë Kosova. Pa SHBAnë e ardhmja është e rrezikshme dhe këtë e ka dokumentuar e kaluara, respektivisht dy takimet e mëdha të shteteve të Evropës, kur shqiptarët i ndanë dhe i copëtuan, siç është Kongresi i Berlinit dhe Konferenca e Ambasadoreve e vitit 1913. Tani i përmenda këto për të parë se nuk duhet të ecet në asnjë takim me shtetin serb vetëm me evropianë, sepse me ta rreziqet për Republikë janë evidente. Tani problemi paraqitet se pse z. Thaçi po vazhdon të diskutohet dhe me propozuar korrigjimin e kufirit me shtetin serb? Pse vazhdon me marrëveshje nën diktatin e BE-së tërësisht anti-Kosovë? Pse po pranon të bisedon vetëm për vetëm me shtetin serb? Pra të gjitha këto janë tema të rrezikshme. E dihet fare mirë që në Kushtetutë dhe në Kodin Penal të Kosovës çdo diskutim i karakterit që prek tërësinë territoriale dhe sovranitetin e shtetit dënohet rëndë. Në nenin 1 të Kushtetutës theksohet karakteri unik, i pandarë dhe sovran i shtetit", shpjegon ai. "Çdo diskutim i z. Thaçi është tani në kundërshtim me këtë nen të Kushtetutës dhe me shumë nene të tjera ku flitet për tërësinë territoriale dhe për sovranitet. Si president i Kosovës, z. Thaçi, i ka kompetencat e caktuara. Ai duhet të punojë dhe të angazhohet në raportet ndërkombëtare çdoherë sipas normave kushtetuese", theksoi prof. Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot". Sidoqoftë, ai shton se derisa nuk ka guxim asnjë subjekt politik për ta çuar çështjen në Gjykatë Kushtetuese, presidenti po vazhdon të punojë kundër shtetit, por ai dyshon që edhe nëse denoncimi shkon në Kushtetuese, ajo do të vendosë në favorin e tij, pasi që edhe Kushtetuesja është e kapur nga kthetrat kriminale të politikës

 

(Kosova Sot)