Kapiti: I gjithë sistemi juridik, por edhe ai politik, duhet të pastroheshin përmes një procesi VETTING

  • 21 September 2018 - 15:14
Kapiti: I gjithë sistemi juridik, por  edhe ai politik, duhet të pastroheshin përmes një procesi VETTING

Sipas njohësit tjetër të kësaj fushe Skënder Kapiti, i gjithë sistemi juridik, pra drejtësia, por  edhe ai politik, Parlamenti, qeverisja qendrore dhe ajo lokale, pluralizmi politik, pra të gjithë "elitarët" e politikës dhe të partive politike janë të korruptuar dhe të kriminalizuar dhe ata do të duhet të pastroheshin përmes një procesi VETTING. Në këtë proces do të duhej futur, sipas tij, dhe shoqërinë civile ,OJQ-të, por edhe shumë  nga  mediet, të cilat janë bërë shërbëtore dhe satelite  e mercenare të politikës, të pushtetit e të parasë. “Pra, kur themi VETTING, që do të thotë hetim e spastrim,  këtu nuk bëhet fjalë vetëm për sistemin e drejtësisë, i cili duhet të jetë i pari që t'i nënshtrohet VETTTING-ut. Kjo, sepse është drejtësia politike e korruptuar dhe e kriminalizuar, ajo e cila ka prishur shtetin, shoqërinë, ligjin, drejtësinë, demokracinë dhe intelektualizmin në Shqipëri dhe në Kosovë. Drejtësia, ndërtimi i shtetit ligjor dhe funksionimi i tij janë themeli i lirisë, i demokracisë  dhe i efikasitetit të luftës kundër krimit e korrupsionit të politikes dhe të kujtdo qoftë tjetër”, u shpreh ai. “VETTING-u i sistemit të drejtësisë, pra vënia në funksion të ligjit dhe të drejtësisë në shtetin demokratik së pari do ta çlironte edhe sistemin politik nga kapja që i kanë bërë politikës kjo elita e sotme politike kudo partiake prej elementëve injorantë, të paaftë ,të papërgjegjshëm, harbutë, të korruptuar dhe me rekorde kriminale, pasi një drejtësi reale nuk bën diferencimin dhe as dallimin para ligjit të askujt, dhe pra as të atyre të cilët i mbron si deri më tani politika e pushteti, ku politika e pushteti i ka pajisur të korruptuarit, hajdutet dhe të kriminalizuarit e politikës me statusin e pandëshkueshmërisë për poshtërsitë, krimin, papërgjegjshmërinë dhe për hajdutërinë e tyre”, vlerësoi më tej Kapiti për “Kosova Sot”.