BE ende s’ka datë për takimin e radhës Thaçi-Vuçiq

  • 23 September 2018 - 11:46
BE ende s’ka datë për takimin e radhës Thaçi-Vuçiq

Kosova ka hyrë tanimë në fazën përfundimtare të bisedimeve me Serbinë në Bruksel me qëllim që të arrihet një zgjidhje e përbashkët për të dyja vendet.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë qëndrimin e tij se me Serbinë duhet të gjejnë kompromisin  përmes paqes  për një marrëveshje e cila sipas tij, duhet të  rezultojë me njohje të pavarësisë së Kosovës nga ana e shtetit serb.

Mirëpo, për këtë marrëveshje Presidenti serb, Aleksadër Vuçiq si dhe zyrtarë të tjerë pranë Qeverisë serbe kanë thënë se do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për të gjetur zgjidhjen përfundimtare me Kosovën.

Megjithatë, ata shpresojnë se një zgjidhje do të bëhet në bashkëpunim me  Bashkimin Evropian.

Sa i përket takimit të radhës se kur pritet ta zhvillojnë dy presidentët, në Bruksel, BE nuk kanë bërë të ditur ende një gjë të tillë.

Ndërkaq,  Presidenti, Thaçi po vazhdon ta përsërisë idenë e tij për korrigjimin e kufijve apo shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë. I pari i shtetit, ka theksuar se do ta propozon në dialog çështjen e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, madje pa humbur pjesë të territorit tonë.

Mirëpo, për këtë temë nuk dihet ende se a do të bisedohet në Bruksel.

Kujtojmë, se Qeveria “Haradinaj” ka krijuar Ekipin e Unitetit në krye me Fatmir Limajn për bisedimet me Serbinë, i cili është dërguar në Kuvend, veçse nuk po mund të miratohet pasi që po kundërshtohet nga opozita, me ç’rast nuk janë votat e nevojshme.

Ndryshe, mediat serbe  kanë paralajmëruar sot  se Shtetet e Bashkuara të Amerikës së shpejti do të përfshihen më aktivisht si ndërmjetësues në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas gazetës “Danas” përfshirja e amerikanëve do të zhvillohet përmes “shuttle diplomacisë”, në bisedat me zyrtarët më të lartë në kryeqytetet e Serbisë e të Kosovës.

 

(Kosova Sot)