Banorët përreth Mirushës në Gjilan, në hall me mbetjet e kafshëve e bërllokut që hidhen në lum

  • 23 September 2018 - 22:57
Banorët përreth Mirushës në Gjilan, në hall me mbetjet e kafshëve e bërllokut që hidhen në lum

Papastërtia në lumin Mirushë në Gjilan vazhdon të jetë problem për banorët përreth.

Derdhja e ujërave të zeza në të, bërlloku dhe mbetjet nga thertoret e kanë vështirësuar jetën e banorëve, sidomos atyre të fshatit Malishevë.

Në Malishevë, vazhdimisht janë ankuar për këtë problem dhe e kanë fajësuar Industrinë e mishit Malësia për gjuajtjen e mbetjeve të kafshëve të therura në lumë.

Por Adil Spahiu, bashkëpronar në këtë industri, e mohon këtë. Thotë se Kompania e tyre i asgjëson mbetjet dhe asgjë nuk hidhet në lumë.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Gjilan, Naser Korça, ka thënë se Komuna e Gjilanit do t’i gjejë zgjidhje këtij problemi.

Banorët e kësaj ane kanë thënë se e kanë të pamundur qëndrimin në oborre dhe tash e sa kohë presin ndihmë nga Komuna e Gjilanit, ku edhe janë ankuar shumë herë.

 

(Kosova Sot)