Mësimi nuk fillon në të gjitha shkollat

  • 01 September 2015 - 15:51
Mësimi nuk fillon në të gjitha shkollat

Disa prej shkollave ende janë në renovim e sipër

Në shkollën fillore “Asdreni” në Pejë dhe “Skënderbeu” në Treboviq nuk do të nisë mësimi më 1 shtator, për shkak të mospërfundimit të punëve në renovimin e këtyre objekteve shkollore

Afro 21 mijë nxënës të arsimit parauniversitar të komunës së Pejës, së bashku me 1500 mësimdhënës, sot nisin vitin e ri shkollor 2015-2016. Komuna e Pejës ka investuar deri tash një milion e 200 mijë euro në infrastrukturën shkollore. Megjithatë, jo në të gjitha shkollat e territorit të Pejës do të fillojë mësimi me kohë. Kështu do të ndodhë me shkollën fillore “Asdreni” në Pejë dhe asaj “Skënderbeu” në Treboviq, për shkak të mospërfundimit të punëve në renovimin e këtyre objekteve shkollore. Sipas zyrtarëve komunalë, pritet që në javën e ardhshme, edhe nxënësit e këtyre dy shkollave do të ulen në bankat shkollore në ambiente krejt të renovuara me kushte shumë më të mira të punës. Besim Avdimetaj, drejtor i Arsimit në Komunën e Pejës, ka thënë për “Kosova Sot” se është i kënaqur me përgatitjet e bëra për fillimin e vitit të ri shkollor. Sipas tij, gjatë kësaj vere janë rinovuar tërësisht disa objekte shkollore si ajo në Treboviq, pastaj Naberxhan, Terstenik Loxhë, Llozhan, Poqestë dhe Jabllanicë e Vogël. Ai ka premtuar se së shpejti të përfundojnë punët në sistemin e ngrohjes qendrore në gjashtë shkolla, të cilat deri më tani nuk kishin ngrohje. Sipas drejtorit Avdimetaj, është punuar edhe në rregullimin e rrethojave dhe tualeteve në disa shkolla. Ndryshe, për herë të parë pas 30 viteve ka filluar ndërtimi i një çerdheje në qytetin e Pejës si dhe kanë filluar punët në objektin e shkollës së mesme të mjekësisë, e cila që nga themelimi i saj para më shumë se 20 viteve nuk ka pasur objekt të vetin, por mësimet i kanë zhvilluar në objektet e shkollave fillore të qytetit. Sipas Avdiemtajt, janë investuar mbi 1 milionë euro, katërfish më shumë se vitin e kaluar. .(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)