Clinton-Biden, historia e një miqësie të pakëndshme

  • 01 September 2015 - 20:41
Clinton-Biden, historia e një miqësie të pakëndshme

Epoka e artë e marrëdhënies Hillary Clinton-Joe Biden ka zgjatur katër vjet – periudhë gjatë të cilës ata e kanë pasur Barack Obama-n temë të thashethemeve dhe të ankesave të tyre.  Gjatë mandatit të tij të parë, Biden dhe Clinton kishin shënuar përparime të ndjeshme në lidhjen e tyre, që ishte kultivuar në mbledhjet e mëngjesit, që ishin mbajtur në dhomën e ndejës së Biden-it. Për të dytë, këto takime të shpeshta kishin ngjallur ndjenjat e mirëkuptimit dhe të ngjashmërive, që këto dy personalitete të shquara i kanë me njëri-tjetrin, sidomos për faktin se që të dy kanë një gojë që flet shumë, e që vihet në funksion nga një tru i mençur. Biden-i ishte mahnitur nga çiltërsia e Clinton-it, mirëpo kishte vlerësuar që ajo e ndjente se kandidatura për presidente të vendit ishte një ‘barrë’, kjo sipas njerëzve, të cilët kanë qenë dëshmitarë të marrëdhënieve Clinton-Biden.  Këto perceptime të Biden-it pritet ta luajnë një rol të rëndësishëm në vendimin e 72-vjeçarit nëse dëshiron që të kandidojë për president apo të pensionohet.   “Atij më të vërtetë i pëlqen Hillary, si person, mirëpo nuk mund të thuhet që ata asnjëherë nuk janë zemëruar me njëri-tjetrin”, ka thënë një ish këshilltar i Obama-s, i cili e ka pasur rastin që t’i njeh të dy për së afërmi. “Mendoj që Biden e ka menduar disa herë këtë çështje ‘nëse ajo mund të kandidojë, pse nuk mundem unë?’. Besoj që gjë do të ndikojë shumë vendimin e tij”, transmeton Kosova Sot Online.

Zemërmirësia e Biden-it

Nuk ekziston ndonjë fjalë në leksikun politik që do ta përshkruante lidhjen e tyre njëzetepesëvjeçare. Clinton dhe Biden nuk janë armiq, mirëpo nuk janë as miq të afërt. Megjithatë, ata nuk janë as miq që ia ngulin thikën njëri tjetrit, e madje nuk janë as rivalë, të paktën jo ende.  “Miqësor, mirëpo jo edhe të ngrohtë në marrëdhëniet me njëri-tjetrin”, ka thënë ish guvernatori i Nju-Meksikos, Bill Richardson, teksa e ka kujtuar momentin kur të tre demokratët kanë qenë duke garuar në vitin 2008. “Kur politikanët mendojnë për gara presidenciale, ata kurrë nuk afrohen shumë me njëri-tjetrin, sepse e dinë që një ditë mund të garojnë kundër njëri-tjetrit”. Mirëpo zemërmirësia e Biden-it nuk është maskë dhe lidhjet e tij profesionale dhe miqësore me Clinton-in nuk janë false. Atij më të vërtetë i pëlqen Clinton-i dhe është prekur shumë nga pjesëmarrja e saj në funeralin e të birit të tij, i cili në moshën dyzetegjashtëvjeçare ka ndërruar jetë në muajin qershor të këtij viti.

 Një parti që është e uritur për alternativa

Në anën tjetër, Hillary Clinton, duke iu referuar Biden-it, ka thënë: “Zëvendës-presidenti Biden është një mik imi dhe e admiroj si person. Ai tani është duke u munduar që ta marrë një vendim tepër të vështirë. Unë kam qenë në funeralin e të birit të tij dhe nuk mund ta paramendoj se nëpër çka është duke kaluar ai për momentin. Dua të them që Joe ka kaluar nëpër shumë ngjarje tronditëse gjatë jetës së tij”.  Hillary tashmë ka filluar t’i inkurajojë donatorët që të nënshkruajnë zotimet për ta mbështetur vetëm Hillary-n, duke i shtyrë ata që të fillojnë me kontribute sa më shpejt që është e mundshme. Në anën tjetër Biden-i e sheh Clinton-in si një kandidate të plagosur, në një parti që është e uritur për alternativa.  Fakti që ata mund të ndeshen kundër njëri-tjetrit në këtë moshë relativisht të vonshme është një aksident historik. Ata nuk kanë qenë pothuajse fare në radarin e njëri-tjetrit para vitit 2008 dhe miqtë e tyre të afërt nuk mund ta kujtojnë ndonjë moment që ata janë takuar në ndonjë mbledhje të rëndësishme, para epikës së Obama-s. Në një pjesë të madhe të autobiografisë së Biden-it përshkruhen përpjekjet e tij të shumta për ta bindur Clinton-in hezitues për ta përdorur forcën ushtarake në luftën e Kosovës. Clinton-i është dukur më e fuqishme politikisht sesa Biden-i, mirëpo duke marrë parasysh problemet e fundit, me të cilat po përballet Clinton-i, për shkak të supozimeve që e ka përdorur serverin privat për shkëmbimin e emaileve të klasifikuara, mund të jemi dëshmitarë të një balancimi në fuqitë e atyre që padyshim do të ishin dy kandidatët kryesorë të Partisë Demokratike.

(Kosova Sot)