GURAZIU: PUSHTETARËT VRAPOJNË PAS MËDITJEVE, NUK E KANË HALLIN E SHTETIT

  • 15 October 2018 - 11:59
GURAZIU: PUSHTETARËT VRAPOJNË PAS MËDITJEVE, NUK E KANË HALLIN E SHTETIT
"Në këtë drejtim ka dështuar veçanërisht Ministria e Punëve të Jashtme me Behgjet Pacollin në krye, veçanërisht në lobimin për liberalizim të vizave, pasi që vendimi final për liberalizim, që e merr secili shtet, është mbi të gjitha politikë dhe këtë gjë e potencoi edhe komisionerja evropiane, e cila u bëri thirrje përfaqësuesve të Kosovës që të vazhdojnë me dialog me të gjitha shtetet anëtare për t'i bindur ato që të marrin vendimin sa më shpejt që është e mundur. Kjo papërgjegjësi e krerëve tanë të shtetit popullit tonë do t'i kushtojë me mosliberalizim të vizave pikërisht për shkak të mossundimit të ligjit si dhe për shkak se janë qeveritarët tanë ata që po bashkëpunojnë vetë me krimin e organizuar dhe të cilët po zhvillojnë vizita të shumta jashtë vendit, duke shpenzuar paratë e popullit, por e keqja është se këto vizita janë të tipit të ekskursioneve dhe për qëllime të tyre private. Ngase për pushtetarët e Kosovës më me rëndësi është që mëditjet të jenë të bollshme, hotelet dhe restorantet luksoze, sesa lobimi për liberalizim vizash, as që lodhen fare për punët e shtetit. Kjo po ndodh ngase ministri i punëve të jashtme, Pacolli, ka pasaportë zvicerane, qeveritarët e tjerë për vete e për familjarët e tyre kanë pasaporta diplomatike, por edhe pasaporta të Shqipërisë, andaj ata nuk kanë nevojë të presin në radhë të gjata e sa për popullin ata nuk e çajnë fare kokën se do të mbesin edhe më tej të izoluar si qytetarë të rëndomtë", thotë analisti Ragip Guraziu për gazetën "Kosova Sot".