QARRI:PUSHTETARËT E INKRIMINUAR E KANË LËNË SISTEMIN ARSIMOR AQ PRAPA!

  • 16 October 2018 - 12:02
QARRI:PUSHTETARËT E INKRIMINUAR E KANË LËNË SISTEMIN ARSIMOR AQ PRAPA!

 Sipas analistit politik Gani Qarri, raporti më i ri i Bankës Botërore me publikimin e Indeksit të Kapitalit Njerëzor, si rezultat të qeverisjes së të gjitha pushteteve të pasluftës, solli dëshmitë më alarmante, në të gjithë rajonin, sidomos për nivelin tejet të ulët arsimor në Kosovë."Madje përveç mossundimit të ligjit, sistemit të shkatërruar shëndetësor dhe nivelit alarmant të arsimimit të gjeneratave të tëra, për vite me radhë, qeveritë e deritanishme, jo vetëm se nuk kanë pasur kurrfarë vëmendje pozitive për sektorët më jetikë në Kosovë, por ata në vazhdimësi, kanë qenë të përkushtuar vetëm të mbushin xhepat e zyrtarëve të korruptuar dhe të klientelës së tyre kriminale. Këtë fakt e dëshmon edhe vetë hulumtimi i Bankës Botërore, duke vërtetuar publikisht në raportin e vet, se Indeksi i Kapitalit Njerëzor pikërisht në Kosovë është dhe vazhdon të mbetet nën mesataren e gjithë shteteve të rajonit dhe më gjerë", u shpreh ai."Përkundër faktit se fëmijët edhe në Kosovë parashihet që të përfundojnë 12.8 vjet të shkollimit para fillor, fillor dhe të mesëm, deri në moshën 18-vjeçare, megjithatë kur vitet e shkollimit nivelohen me cilësinë e arsimit, mjerisht del se arsimimi i tyre është i barabartë vetëm me 7.7 vjet shkollë, gjë që do të thotë se ata kanë një mungesë prej së paku 5.1 vjetësh ngritjeje arsimore. Kjo dëshmon edhe një herë më tepër se pushtetarët e inkriminuar e kanë lënë sistemin arsimor aq prapa, saqë edhe për gati dy dekada Kosova nuk ka qenë e aftë të ndërtojë një sistem cilësor arsimor, as sipas parametrave rajonalë", tha Qarri për "Kosova Sot". Sipas tij, për aq më tepër, është vërtetuar katërçipërisht se shumica e krerëve të pushtetit, me potencialin e ulët intelektual që vetë ata e posedojnë, e kanë të vështirë, për të mos thënë edhe të pamundur, që t`i kuptojnë këto të dhëna, përkundër asaj se niveli kaq i ulët arsimimi do të duhej t'i alarmonte të gjitha institucionet dhe partitë parlamentare,që të paktën Kuvendi ta shpallë përfundimisht arsimin prioritet kombëtar e shtetëror.

(Kosova Sot)