Pompeo takon mbretin dhe princin saudit pas zhdukjes së Khashoggit

  • 17 October 2018 - 16:54
Pompeo takon mbretin dhe princin saudit pas zhdukjes së Khashoggit

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, është takuar me Mbretin Salman të Arabisë Saudite, pas zhdukjes dhe dyshimeve për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka dërguar Pompeon në Riad pasi ka folur me Mbretin e Arabisë Saudite për zhdukjen e Khashoggit, i cili është njohur si kritik i trashëgimtarit të fronit saudit, Princit, Muhammad bin Salman.

Khashoggi është zhdukur pasi ka vizituar konsullatën saudite në Stamboll dy javë më parë. Pompeo ka falënderuar Mbretin Salman për "përkushtimin e tij të plotë dhe hetimin transparent për zhdukjen e Khashoggit", ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit në një deklaratë. Pompeo është takuar edhe me ministrin e Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir, para se të takohet me princin e kurorës."Ne jemi aleatë të vjetër dhe të fuqishëm dhe përballemi me sfida së bashku", ka thënë princi në takim me Pompeon.

(Kosova Sot)