Basha: Meta të ikë, ndryshe përballet me qytetarët!

  • 03 September 2015 - 16:49
Basha: Meta të ikë, ndryshe përballet me qytetarët!

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha doli në një konferencë për shtyp gjatë ditës së sotme duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Parlamentit Ilir Meta, pas një lajmi që qarkulloi sot, shkruar nga BIRN, nëpërmjet të cilit ngrihej dyshimi se Ilir Meta ka marrë ryshfet nga kompania DIA, e cila monitoronte dhe mblidhte borxhet e CEZ përpara disa viteve.

“Prokurori i Përgjithshëm i Republikës të nisë hetim të shpejtë dhe serioz ndaj Ilir Metës, i cili ka marrë ryshfet nga DIA, kompani e ndikuar nga Ilir Meta për të mbledhur borxhet e CEZ”, tha Basha.

“Avokatët e huaj kanë deklaruar se kanë prova se Ilir Meta ka marrë ryshfet nga administratori i firmës, Kastriot Ismailaj, që është aktualisht në arrest për mashtrim dhe evazion. DIA u themelua me ndikimin e drejtëpërdrejtë të Ilir Metës, i cili shkoi në zyrat e kompanisë çeke për të ndikuar për kompaninë në fjalë. Firma e mikut të kryetarit të Kuvendit ka fituar miliona euro dhe një pjesë të parave e ndante me Ilir Metën. Faktet janë publikuar, dosja është e qartë dhe shumë e rëndë. Korrupsioni, marrja e ryshfetit, përvetësimi i miliona eurove të shqiptarëve është kthyer në një normë për Ilir Metën  dhe Edi Ramën”, vijoi Basha.

“Ilir Meta ia ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë më parë, duke ndikuar gjyqësorin. Kërkojmë dorëheqjen e Ilir Metës, dorëzimin para drejtësisë pa imunitet. Parakusht është largimi i tij nga detyra që çështja të zbardhet e plotë”, theksoi kreu i PD-së.

Basha përfundoii duke bërë me dije se: “Drejtësia do vendoset me çdo mjet. Nëse Meta dhe ortaku i tij Rama do të tentojnë sërish manipulimin, do të përballen me forcën e qytetarëve të bashkuar”.

Akuzat e zbardhura nga BIRN

Detajet e akuzave kanë rrjedhur pasi DIA hodhi në gjyq kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike për prishje kontrate, duke kërkuar 130 milionë euro në vitin 2013, kohë kur kjo e fundit quhej CEZ Shpërndarje dhe ishte nën pronësinë e gjigantit Çek të energjisë, CEZ Grup.

Sipas një kërkese për t’i hedhur poshtë akuzat e ngritura nga DIA, një kopje e së cilës është siguruar nga BIRN, zyra ligjore e OSHEE-së, Clifford Chance pretendon se Meta ka qenë një nga përfituesit e pagesave prej miliona eurosh, të përfituara nga kompania e mbledhjes së borxheve prej CEZ Shpërndarje gjatë viteve 2010 dhe 2011.

Pronari i DIA-s, Kastriot Ismailaj është në arrest, i akuzuar për pastrim parash dhe mashtrim, i dyshuar se ka orkestruar një skemë mashtruese të mbledhjes së borxheve të CEZ, në bashkëpunim me ish kreun e bordit të drejtorëve të CEZ Shpërndarje, Josef Hajsek.

Skema erdhi në jetë pasi CEZ grup bleu 76 për qind të aksioneve të shpërndarësit të energjisë elektrike OSSH në vitin 2009 dhe duket se kishte për qëllim të influenconte në mënyrë të paligjshme politikanët shqiptarë si dhe Entin Rregullator të Energjisë Elektrike, ERE.

Sipas dokumentit të hartuar nga Clifford Chance, DIA përfitoi 1.48 milionë euro në 2010 nga CEZ Shpërndarje për një raport të pavlerë për identifikimin e borxhit të kompanisë. Kjo pagesë besohet se u përfitua nga DIA për të influencuar një vendim të ERE për uljen e çmimit me të cilin KESH ia shiste energjinë elektrike CEZ Shpërndarje.