Gjermania dhe Franca pajtohen për kuotat për pranimin e emigrantëve

  • 03 September 2015 - 23:12
Gjermania dhe Franca pajtohen për kuotat për pranimin e emigrantëve

Gjermania dhe Franca kanë rënë dakord parimisht mbi kuotat detyruese për pritjen e emigrantëve në vendet e Bashkimit Evropian.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kancelaria gjermane, Angela Merkel, e cila njoftoi sot nga Berna (Zvicër), se për vendet e BE'së duhet të caktohen kuota të pranimit të emigrantëve, kjo në bazë të potencialit ekonomik të secilit shtet.

“Fola këtë mëngjes me presidentin francez, dhe pozicioni franko-gjerman që do t’u transmetojmë institucioneve evropiane është që ne jemi dakord se duhet t’i bindemi parimit bazë, se ata që kanë nevojë për mbrojtje të mund ta marrin dhe se ne kemi nevojë për kuota detyruese brenda Bashkimit Evropian për të ndarë detyrat tona, ky është parimi i solidaritetit. Sigurisht që fuqia ekonomike luan një rol të rëndësishëm sikurse madhësia e vendit, por nëse veprojmë ndryshe nuk mund ta zgjidhim këtë problem”, shtoi kancelarja.

Edhe Presidenca Franceze nëpërmjet një njoftimi për shtyp informoi se në bashkëpunim me Gjermaninë, Franca do t’i paraqesë Brukselit propozimet për organizimin dhe shpërndarjen e drejtë të emigrantëve që vijnë nga zonat e luftës në vendet e BE'së.

“Franca dhe Gjermania do t’i paraqesin Brukselit propozime të përbashkëta për të organizuar pritjen e refugjatëve dhe një ndarje të drejtë në Evropë, si dhe përafrimin e normave për të përforcuar sistemin evropian të azilit”, bëhet e ditur në njoftim.

Gjithashtu, në njoftim theksohet se iniciativa franko-gjermane synon të garantojë kthimin e emigrantëve të parregullt në vendet e tyre të origjinës dhe t’u japë mbështetjen e duhur vendeve të origjinës dhe të tranzitit.