Salihu: Politikisht dhe ekonomikisht jostabilë

  • 20 October 2018 - 17:30
Salihu: Politikisht dhe ekonomikisht jostabilë
 Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës Salih Salihu (PSD), për gazetën " Kosova Sot"," tha se aspak nuk duhet të çuditemi se përse sivjet do të jenë 100 milionë euro më pak investime. "Sepse, ky është një tregues i qartë se edhe me Qeverinë 'Haradinaj', Kosova po dështon edhe në sektorin ekonomik Por, duhet të jemi realë dhe objektivë se Qeveria aktuale është munduar që të bëjnë disa hapa, por që këta hapa kanë qenë më shumë të nivelit kozmetikë sesa hapa të cilët kanë dërguar mesazh të qartë", u shpreh ai. "Kësaj duhet t'i shtohet edhe viti jostabil në kuptimin politik, ngase ka munguar edhe niveli i stabilitetit politik. Prandaj, në këtë kuptim ne duhet t'i shikojmë edhe investimet e huaja dhe tërheqjen e investimeve të huaja", theksoi më tej Salihu. Ai thotë se ka shumë gjëra të cilat kanë munguar që investitorët vendorë dhe të huaj të joshen, pasi këto investime të huaja direkte nga viti në vit po bien në mënyrë shumë drastike. "Edhe me këtë Qeveri dhe koalicion, Kosova ka mbetur edhe më tej një terren i pasigurt për investitorët seriozë, prej të cilëve po kërkohet mitë dhe në shumë raste paraprakisht edhe po u vendoset haraç. Andaj, e kemi këtë situatë që ka ndikuar të kemi 100 milionë euro më pak investime", vlerësoi ai. Sipas opozitarit Salihu, pengesë tjetër, është edhe mungesa e energjisë elektrike që është burimi kryesor pothuajse për çdo biznes, e sidomos ato të fushës së prodhimit, dhe kjo mendoj se është problemi kryesor që investitorët nuk duan të vijnë. "Përveç kësaj, është edhe mungesa e sundimit të ligjit si edhe niveli i lartë i korrupsionit e që është pengesa më e madhe për të cilën tashmë kemi dëgjuar edhe tregime të vërteta, përjetime nga bizneset të ndryshme, sidomos ato nga jashtë të cilat kanë qenë të interesuara të vijnë dhe të investojnë këtu, por për shkak të haraçit, përqindjes që është kërkuar nga zyrtarë të ndryshme qeveritarë ata kanë vendosur të ikin në vende të tjera", shtoi Salihu. Ai thotë se sa më parë që kjo Qeveri të largohet nga pushteti, gjasat janë që për qytetarët e Kosovës dhe vendin tonë të vijnë ditë të mira.

(Kosova Sot)