MEHA: OPINIONI PO MASHTROHET SE PO LUFTOHEN KRIMI I ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONI

  • 22 October 2018 - 15:05
MEHA: OPINIONI PO MASHTROHET SE PO LUFTOHEN KRIMI I ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONI
Eksperti i financave, Xhevat Meha, për gazetën "Kosova Sot" theksoi se Kosova ka më tepër se 10 vjet që gjendet në mes të domosdoshmërisë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe "frikësimit të arushës me shoshë", siç thotë populli. "Shumë herë deri më tani kemi parë skena të përgatitura mirë për të mashtruar opinionin se gjoja po bëhet diçka në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Është e sigurt se krimi i organizuar dhe korrupsioni luftohen kur ka disa parakushte e që dy prej tyre janë: 1) luftohet nga koka e jo nga bishti dhe 2) krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk mund të luftohen me njerëz të kriminalizuar dhe të korruptuar. Mirëpo, nevoja dhe domosdoshmëria tepër e madhe për të pasur fillimin e luftimit opinionin e bën të besojë se çfarëdo që bëhet për të filluar kjo luftë, edhe kur inskenohet me individë të niveleve të ulëta e të mesme, edhe kur luftimi bëhet nga njerëz që vetë janë të korruptuar", është shprehur ai. Sipas Mehës, deri më tani të gjitha këto kanë qenë mashtrime të opinionit, ta shohim çka do të ndodhë kësaj radhe."Duhet përkujtuar se krimi i organizuar nuk është e lehtë të luftohet, kjo nga fakti se është i ndërtuar dhe i mirëmbajtur dhe në funksion nga strukturat që deri më tani janë dëshmuar si më të organizuarat dhe më të fuqishmet në Kosovë, nga strukturat shtetërore të fshehta serbe. Nuk është rastësi ky nivel kaq i lartë i krimit të organizuar dhe korrupsionit, është shprehur eksperti Xhevat Meha për gazetën "Kosova Sot".