Vuan nga një formë e rrallë e kancerit të hundës - Lajme - Kosova Sot
Vuan nga një formë e rrallë e kancerit të hundës

Vuan nga një formë e rrallë e kancerit të hundës

Një baba i tre fëmijëve, i cili kishte injoruar problemet me dëgjim, duke i konsideruar si shenja të ftohjes, për më shumë se dy vjet, përfundimisht është diagnostikuar me një kancer të rrallë të hundës, që kishte filluar t'i përhapej edhe gjetiu në kafkë. Ben Wilkinson, 42 vjeç, nga Longlevens, Glouçester, humbi dëgjimin në veshin e djathtë në vitin 2016, gjë që ai mendoi të ishte pasojë e ftohjeve të shpeshta. Vetëm pasi mjeku i tij i përgjithshëm i tha që ta bënte rezonancën magnetike, në shtator të vitit të kaluar, ai zbuloi se kishte një tumor 4 cm prapa hundës, në bazë të kafkës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Mund t'ia dobësojë aftësinë e gëlltitjes

Zotëri Wilkinson u diagnostikua me adenokarcinomë dhe iu nënshtrua një operacioni të vështirë, i cili zgjati dy orë e gjysmë. Por, meqë tumori gjendej afër nervave të ndjeshëm, nuk qe e mundur që t'i largohej në tërësi. Atij i kanë thënë se duhet t'i nënshtrohet rrezatimit, edhe pse një gjë e tillë mund t'ia dobësojë aftësinë e gëlltitjes, shikimin, por edhe dëgjimin. Sigurimi shëndetësor ka refuzuar që t'ia mbulojë atij një trajtim më adekuat, me rreze protonike, përkundër rekomandimit të mjekëve. Lajmi i keq, i diagnozës me kancer, atij i erdhi edhe më i rëndë, meqë atë ditë vajza e tij mbushte 16 vjet. 

I ka mbetur ende tumor në kokë

Pas operacionit, atij i është rikthyer dëgjimi deri në 85%, por ç'e do, kur dihet se atij i ka mbetur ende tumor në kokë, i cili vazhdon që të rritet. Kur ai kërkoi shpjegim nga sigurimi shëndetësor, për refuzimin e një terapie më të sigurt, ata i thanë se, në bazë të të dhënave, mjekët nuk kanë bërë largimin sa më të madh të mundshëm të tumorit, gjë që është kriter për një trajtim të mëtejmë. Por, në ndërkohë, Wilkinson dhe gruaja e tij Bozena, 43 vjeçe, janë duke mbledhur para, në mënyrë që ai të mund të shkojë në Pragë, që të trajtohet me terapinë e rrezeve protonike, që kushton rreth 66,500 funte, për 38 cikle, përgjatë 8 deri 10 javësh. Deri më tani ata kanë mbledhur rreth 10% të parave të nevojshme. 

 

 

(Kosova Sot)

5 orë e 42 minuta më parë
15/11/18