Merkel do një 'ushtri të vërtetë evropiane', përçarja thellohet midis aleatëve të NATO-s

  • 14 November 2018 - 16:38
Merkel do një 'ushtri të vërtetë evropiane', përçarja thellohet midis aleatëve të NATO-s

Një pykë midis SHBA-së, Francës dhe Gjermanisë vetëm sa ka depërtuar më thellë të martën, pasi që Angela Merkel doli në mbështetje të krijimit të një 'ushtrie të vërtetë evropiane' dhe pasi që Donald Trump sulmoi presidentin francez Emmanuel Macron, për komentet që ky i fundit i bëri rreth nacionalizmit. Trump u tall me "ushtrinë evropiane" të propozuar nga Macron, duke përmendur me këtë rast agresionin ushtarak gjerman gjatë Luftës së parë dhe asaj të dytë botërore. Trump po ashtu akuzoi Macronin se është duke e sulmuar atë vetëm me qëllim të rritjes së popullaritetit. Kjo grindje midis miqsh shpërtheu dhe u shndërrua në një konflikt të plotë diplomatik. 'Emmanuel Macron sugjeron formimin e ushtrisë evropiane për ta mbrojtur Evropën nga SHBA-ja, Kina dhe Rusia. Por, ishte Gjermania në Luftën e parë dhe të dytë botërore - si ndikoi kjo te Franca?, shkroi Trump. 'Para se të vinin ushtarët amerikanë, në Paris kishin filluar të mësonin gjermanisht. Paguani për NATO-n, ose mos paguani!', transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Macron qortoi ideologjinë nacionaliste të Trumpit

Trump u tall kështu me aleatin kryesor të SHBA-së, pasi që u kthye nga Parisi, ku midis liderëve të tjerë botërorë, kishte marrë pjesë në një ceremoni për nder të qindvjetorit të mbarimit të Luftës së parë botërore. 'Problemi qëndron te fakti se Emmanuel Macron ka një mbështetje tepër të ulët në Francë, 26%, si dhe një shkallë të papunësisë gati 10%. Ai, thjesht, vetëm ka dashur të ndërronte temën", tha Trump edhe pse vetëm tri ditë më parë Macronin e kishte vlerësuar, duke e quajtur mik. "Përndryshe, nuk ka vend më nacionalist sesa Franca, me një popull me të drejtë shumë krenar. Bëjeni Francën përsëri madhështore", vazhdoi Trump me postimet e tij. Këto kritika të Trumpit erdhën pasi që Macron qortoi ideologjinë nacionaliste të Trumpit, 'Amerika në rend të parë', duke thënë në një fjalim se patriotizmi 'është saktësisht e kundërta e nacionalizmit' dhe duke tërhequr vërejtjen se, ngritja e nacionalizmit mund të bëjë që në Evropë të kthehen konfliktet e përgjakura të së kaluarës. Macron e mbajti fjalimin e tij në gjuhën amtare, derisa Donald dhe Melania Trump, të cilët flasin frëngjisht, gjendeshin të ulur përpara dhe në qendër nën Harkun e Triumfit, në tubimin e mbajtur për nder të përfundimit të luftës në të cilën SHBA-ja luftoi kundër Gjermanisë, krahpërkrah me Francën. Trump deklaroi më vonë se ai dhe Melania ishin pritur me madhështi në Francë nga çifti Macron. 

Trump nuk la asnjë plagë pa i hedhur kripë

Trump deklaroi se nëse Franca dëshiron një Evropë më të fuqishme, ajo dhe vendet e tjera duhet të paguajnë më shumë për organizatën ekzistuese mbrojtëse, por se ai është i gatshëm që të punojë me Macronin rreth mënyrës më të mirë për ta bërë një gjë të tillë. Macron tha se pajtohet plotësisht me Trumpin rreth ndarjes së kostos, por se dëshiron të sigurohet që mbrojtja e Francës të shtrihet përtej ombrellës së organizatës transnacionale. Por, kjo paqe midis aleatësh zgjati pak. Të hënën në mëngjes, Trump përsëri ankohej rreth mungesës së kontributeve evropiane ndaj NATOs. Ai nuk la asnjë plagë pa i hedhur kripë, derisa qortoi Macronin të martën në "Twitter" për shkak të deklaratave rreth "ushtrisë së Evropës", e cila do të duhej ta mbronte kontinentin, midis tjerash, edhe nga SHBA-ja. Më pas, Trump u ankua edhe në aspektin ekonomik, duke kërkuar nga Franca që ta lehtësojë shitjen e verërave amerikane në Francë. Në anën tjetër, midis Macronit dhe Merkelit kishte mbretëruar një atmosferë thuajse vëllazërore. Bile, derisa ata ecnin rrugëve të Parisit, dorë për dore, një grua plakë mendoi se Merkel ishte gruaja e Macronit. E, në lidhje me deklaratat për ushtrinë evropiane, Macron tha më pas se ishte keqkuptuar, por po ashtu shtoi, për CNN: 'Nuk dua të shoh që vendet evropiane ta rrisin buxhetin në mbrojtje, me qëllim që të blejnë armë amerikane, apo materiale tjera që vijnë nga industria juaj". Ai po ashtu deklaroi se, për dallim nga Trump, preferon më shumë diskutimin direkt, e jo atë përmes postimeve në internet. Sikur kjo të mos mjaftonte, doli edhe Merkel, në mbështetje të plotë të idesë së Macronit, për krijimin e një ushtrie evropiane. 'Evropa duhet ta marrë fatin e vet në duart e veta, nëse duam ta mbrojmë komunitetin tonë", tha ajo. 

 

(Kosova Sot)