Brandt: Kosova e Re fillon prodhimin në fund të vitit 2022

  • 15 November 2018 - 23:49
Brandt: Kosova e Re fillon prodhimin në fund të vitit 2022

"Prodhimi i energjisë elektrike nga Kosova e Re fillon në fund të vitit 2022 apo në fillim të vitit 2023", kështu theksoi Joseph Brandt, kryeshef ekzekutiv në kompaninë ContourGlobal, me të cilën Kosova ka nënshkruar kontratë për projektin e termocentralit të ri Kosova e Re.

"Ju jetoni këtu dhe jeni të vetdijshëm për ndikimin e Kosovës A. Ditën kur projekti fillon, ajo mbyllet. Do të ketë përmirësim të ajrit dhe të mjedisit në përgjithësi", theksoi ai teksa po diskutonte në studion e Zona B në Klan Kosova, tek Baton Haxhiu, me të ftuarin Berat Rukiqi, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës dhe Valon Syla, gazetar.

Kosova konsiderohet ndër vendet më të pasura me linjit në Evropë. Përkundër dhe pas shume viteve përpjekjesh, vendi nuk ka arritur të zhvillojë kapacitete të mjaftueshme të prodhimit të energjisë elektrike.

"Projekti ka arsyeshmëri të madhe të nxitjes së aftësisë konkurruese të ekonomisë së vendit", theksoi Rukiqi gjatë bisedës në studio. Raporte të USAID tregojnë për humbje vjetore prej 300 milion eurosh të bizneseve në Kosovë, për shkak të furnizimit jo të rregullt me energji elektrike.

"Në matjet e fundit të klimës së bërit biznes në Kosovë, energjia elektrike del të jetë njëra ndër barrierat kryesore për të bërë investime", theksoi Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Kohë më parë presidenti i Bankës Botërore kishte informuar se kjo bankë nuk mbështetë ndërtimin e Kosovës së Re. ‘Ne kurrë nuk e kemi vlerësuar atë si opcion për financimin e projektit’, tha kryeshefi ekzekutiv i Contour Global. ‘Po të mos ishte Banka, projekti do të zhvillohej shumë më shpejtë", shtoi ai.

"80 euro është kulmi, sepse kështu ka qenë e strukturuar që në fillim. Kur kemi filluar diskutimin e këtij çmimi jemi pajtuar se duhet ta kemi një tavan, por që atë mund ta shtyjmë më poshtë gjatë procesit", iu përgjigj ai pyetjeve të gazetarit Valon Syla në Zonën e Debatit rreth dilemave të shfaqura në media rreth çmimit të blerjes së energjisë elektrike.

"80 euro për orë, apo çmimi i tavanit nuk mendoj se do të arrihet ndonjëherë", ka thënë Brandt në Zonën e Debatit.

 

(Kosova Sot)