Katër herë e ka mundur kancerin

  • 16 November 2018 - 19:26
Katër herë e ka mundur kancerin

Për shkak të ADN-së së saj të veçantë, Lauren ka pasur dhe ka mundur dy herë kancerin e zorrës së trashë, kancerin e mitrës dhe limfomën, që të gjithë para moshës 28 vjeçe. Meqë gjakderdhja pasohej me dhembje të barkut, ajo bëri ca kërkime në internet dhe ia gjeti vetes diagnozën

Kishte vetëm 17 vjet kur Lauren Erdmann Marler e dinte se kishte kancer. E rritur në Midland, Teksas, Lauren kurrë nuk kishte qenë te onkologu, kurrë nuk kishte bërë analiza gjenetike, por thjesht, e dinte këtë gjë. Gjatë dy vjetëve të fundit të jetës së saj, Lauren kishte gjakderdhje sa herë që shkonte në WC. Gjaku në tualet e frikësonte por, si 15 vjeçe që ishte, turpërohej t'iu tregonte prindërve, apo ndokujt tjetër. Kur i tregoi së ëmës, kjo e fundit mendoi se vajzës i kishin ardhur menstruacionet, por në fakt, ajo kishte me të vërtetë kancer. Ishte kanceri i saj i parë, nga katër gjithsej, sa do të kishte përgjatë një dekade të mundimshme. 

Mjekët ia hoqën tërë zorrën e trashë

Për shkak të ADN-së së saj të veçantë, Lauren ka pasur dhe ka mundur dy herë kancerin e zorrës së trashë, kancerin e mitrës dhe limfomën, që të gjithë para moshës 28 vjeçe. Meqë gjakderdhja pasohej me dhembje të barkut, ajo bëri ca kërkime në internet dhe ia gjeti vetes diagnozën. Mjeku mendoi se gjakderdhja duhej të ishte pasojë e konstipacionit. Ai ia përshkroi një dietë të pasur me fibra, por gjendja e saj vetëm sa u përkeqësua edhe më shumë. Kolonoskopia tregoi se vajza kishte polipe të shumta në zorrën e trashë dhe ato ishin kanceroze. Iu caktua operacioni, me ç'rast mjekët ia hoqën tërë zorrën e trashë, duke ia vënë një qeskë në bark, për të kryer nevojën. Kjo e mundonte shumë vajzën. Por, më pas mjekët ia bënë një operacion dhe ajo nuk duhej të mbante më qese. Kishte 19 vjet dhe mendoi se e mposhti kancerin njëherë e mirë. 

Tretmani funksionoi

Në moshën 20 vjeçe u martua, bleu shtëpinë e parë, por më pas u shkurorëzua dhe u kthye në shtëpinë e prindërve. Sikur kjo të mos mjaftonte, asaj iu paraqit sërish kanceri, kësaj here në uterus. Ishte kancer agresiv. Ajo mendonte ta ruante ndonjë qelizë vezë, për të pasur fëmijë më pas. Por, çka nëse edhe fëmija i saj do ta kishte të njëjtën ADN problematike? Sido që të jetë, përsëri tretmani funksionoi. Në ndërkohë, një mjek australian kishte identifikuar gjendjen e quajtur CMMRD, që është një deficit gjenetik, nga i cili vuan Lauren. Më pas iu identifikua kanceri në pankreas, për çka asaj iu desh që të trajtohej me gjashtë lloje të kimioterapisë. Më pas kanceri e preku përsëri në mitër, të cilin po ashtu e mundi. Edhe pse i duhet që të jetojë me njërin sy kah analizat, Lauren mundohet që ta bëjë një jetë sa më normale. 

 

(Kosova Sot)