Ballkani Perëndimor merr 134 milionë ndihmë nga Amerika, përfiton edhe Kosova

  • 25 November 2015 - 22:48
Ballkani Perëndimor merr 134 milionë ndihmë nga Amerika, përfiton edhe Kosova

Shtetet e Bashkuara kanë akorduar mbi 134 milionë dollarë ndihmë për Ballkanin Perëndimor për vitin fiskal 2015, për të mbështetur reformat e nevojshme për integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO. Këtu përfshihet edhe Kosova.

Këtu përfshihet ndihma për Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, si edhe ndihmën për sigurinë për Kroacinë dhe Slloveninë.

34 milionë dollarë janë akorduar si ndihmë për nisma për shtetin ligjor dhe reforma.

25 milionë janë ndihmë për përmirësimin e organeve të rendit, sigurisë së kufijve, forcimin e kontrollit për tregtinë strategjike, përfundimin e çminimit dhe shkatërrimin e armëve të lehta.

Për mbështetjen e shoqërisë civile, proceseve politike, medies së pavarur dhe gazetarisë investigative për forcimin e zbatimit të ligjeve kundër korrupsionit dhe institucioneve, janë akorduar 13 milionë dollarë.

22 milionë dollarë janë caktuar për të përmirësuar aftësinë konkurruese të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe zgjeruar tregtinë brenda rajonit dhe me Evropën.

Për nxitjen e zbutjes së konflikteve dhe procesin e pajtimit janë caktuar 4 milionë dollarë.

Për integrimin e rajonit në rrjetet evropiane të energjisë përmes reformave rregullatore dhe politikave në këtë drejtim, shtimin e qasjes tek financat dhe energjia e ripërtëritshme dhe për pakësimin e çlirimit të gazeve të dëmshme, janë akorduar 5 milionë dollarë.

28 milionë dollarë janë caktuar për të ndihmuar aspirantët e NATO-s dhe anëtarët e rinj për të plotësuar kërkesat e aleancës dhe rritjen e bashkëpunimit, si edhe pjesëmarrjen në operacionet e koalicionit dhe paqeruajtëse.

Për forcimin e arsimit profesional dhe rritjen e qasjes në arsimin e lartë janë caktuar 3 milionë dollarë.

Në shifrën prej 134 milionë dollarësh është përfshirë edhe zbatimi i marrëveshjeve të dialogut Kosovë-Serbi, përfshirë integrimin e Veriut në sistemin e drejtësisë dhe ekonomisë së Kosovës.

Ndërsa për mesazhet kundër ekstremizmit dhe ndihmën për legjislacion kundër luftëtarëve të huaja, buxheti është i veçantë dhe jo i përfshirë në shumën e përgjithshme prej 134 milionë dollarësh.