Votuesi t’i ndëshkojë partitë e oligarkëve

  • 26 November 2015 - 16:55
Votuesi t’i ndëshkojë partitë e oligarkëve

Kosovës i duhet një frymë e re politike

”Kosova ka nevojë për një alternativë të re politike, që e nxjerr këtë vend nga humnera, ku e kanë futur elitat e kalbura, të korruptuara e të kriminalizuara”, tha Salihaj

Sado që të gjitha subjektet politike në Kosovë vazhdojnë të thirren se po bëjnë reforma të brendshme, deri  tash këto kanë mbetur vetëm reforma në letër. Njohës të mirëfilltë, të mënyrës së funksionimit të spektrit politik në vend, vlerësojnë se ndërtimi i demokracisë brendapartiake është akoma i një niveli tepër të dobët, kështu që partitë politike në Kosovë  akoma nuk janë të gatshme dhe nuk e kanë fuqinë e ndikimit nga brenda, që të reformohen nga e para, dhe ta bëjnë Kosovën shtet të së drejtës, shtet ku vërtet sundon rendi dhe ligji, dhe jo sikur tani që po sundojnë mafio-politikanët dhe mafio-oligarkët, që po e konsiderojnë veten të paprekshëm, me fuqi mbi rendin e ligjin. Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, konsideron se për mungesë të vullnetit dhe gatishmërisë politike për reformim të thellë të subjekteve të tanishme politike, vetëm inicimi i një nisme të re serioze për subjekt të ri politik mund t’i sforcojë këto parti, që po stërkeqen dhe po bunkerizohen përreth grupeve të tyre të interesit, ngase mundësi tjetër të ndryshimeve nuk mund të ketë. ”Kosova ka nevojë për një alternativë të re politike, që e nxjerr këtë vend nga humnera, ku e kanë futur elitat e kalbura, të korruptuara e të kriminalizuara”, tha Salihaj.

Partitë e mëdha dështuan

Edhe politologu Albinot Maloku konsideron se derisa po dështon reformimi i premtuar dhe shumë i nevojshëm i subjekteve aktuale politike, atëherë alternativë e vetme mbetet dalja në skenë e një nisme të re intelektuale. “Fakt për këtë janë zgjedhjet e brendshme në LDK, që nuk lëvizën asgjë për të mirë. Megjithëkëtë, ato shkuan edhe më keq. Edhe në subjektet e tjera aktuale nuk po lëviz asgjë. Gjithsesi reforma e brendshme e rrënjësore brenda subjekteve aktuale politike, si në program e si në kuadër, do të ishte gati më e mirë se ardhje emrash të subjekteve të reja politike. Mirëpo, nëse kjo reformë brenda emrave aktualë të subjekteve politike nuk ndodh, atëherë rrugë e vetme e alternativës ngelet dalja e një emri të ndonjë subjekti të ri politik, me vizion dhe program që sfidon partitë e tanishme politike”, tha politologu Maloku. .(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)