Sherifi: Pushteti me alarme për bomba tenton t’i frikësojë qytetarët për të mos dalë në manifestim

  • 27 November 2015 - 21:01
Sherifi: Pushteti me alarme për bomba tenton t’i frikësojë qytetarët për të mos dalë në manifestim

Një ditë para protestës së opozitës, Policia e Kosovës ka marrë tri informata anonime për vendosje të bombave nëpër lagje të ndryshme të Prishtinës. Por me të dal në teren policia vërejti se informacionet për bombë në kryeqytet nuk janë të sakta.

Lidhur me këto informata ka reaguar opozita kosovare. Ajo i quan inskenime të partive që janë në pushtet, vetëm për ti frikësuar qytetarët që nesër të mos dalin në manifestimin e opozitës.

Bilall Sherifi nga partia opozitare NISMA është shprehur se partitë që janë në pushtet në Kosovë nëpërmjet këtyre informacioneve po mundohen që ti frikësojnë qytetarët e Kosovës që të mos i bashkohen manifestimit të nesër kundër themelimit të Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë.

“Loja e pushtetarëve për ti frikësuar qytetarët kinse në Prishtinë po gjenden mjete shpërthyese nuk do të kalojë as një lojë e Qeverisë nuk do ti frikësoj qytetarët. Ata në mënyrë masive do të dalin në manifestim dhe do të tregojnë se marrëveshjet e dëmshme për Kosovën nuk kalojnë”, ka thënë Sherifi për ORAinfo.

Ndërkaq pyetur nëse Albin Kurti do të shfaqet nesër në manifestim protestë, Sherifi është shprehur se po të ishte në vendin e Kurtit nuk do të dilte.

“Unë po të isha në vendin e zotit Kurti nuk do të dilja nesër në protestë sepse konsideroj se sakrificë më e madhe për Kurtit është që të mos dali në protestë se sa të jetë pjesëmarrës”, është shprehur Sherifi, duke thënë se Albin Kurti nesër do të jetë në mendjet e qytetarëve.
“Nesër është dita e qytetarëve dhe unë mendoj se Albini edhe pse nuk është i pranishëm fizikisht ai do të jetë ne mendjen e gjithë qytetarëve”, ka shtuar ai.

Kujtojmë që opozita me datë 28 Nëntor , do të mbajë një manifestim me moton “Manifesto për Republikën” do të fillojë nesër në orën 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.

Ndërkaq ende nuk është bërë e qartë pjesëmarrja e tre deputetëve të Vetëvendosjes që gjinden në arrati në këtë manifestim.