Bamieh: Zyrtarët e lartë të EULEX-it takohen me kriminelë dhe marrin mito

  • 30 November 2015 - 21:56
Bamieh: Zyrtarët e lartë të EULEX-it takohen me kriminelë dhe marrin mito

Ish-Prokuroria e EULEX-it, Maria Bamieh, e cila ka akuzuar këtë mision për korrupsion, ka treguar se ish gjyqtari Francesko Flori dyshohet se ka marrë mito lidhur me rastin Sekiraça dhe rastin e ish- sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj.

Ajo ka treguar për rastet që ka ndjekur ligjërisht sa ka qenë pjesë e këtij misioni ndërsa ajo është shprehur se personat e lartë në EULEX ushtrojnë ndikim politik, njofton Klan Kosova.

“Mund të them se pjesëtarët e lartë të Misionit bisedojnë me kriminele, gjyqtarë, prokurorë e të tjerë. Kjo nuk ndodhte vetëm me rastet e mia, por edhe në raste të tjera me kolegët e tjerë”, tha ajo.

Ajo ka thënë se nuk e kupton se sse duhet zyrtarët e lartë të takohen me palët e tyre.

“Unë po bëja përndjekjen ligjore të rastit Ilir Tolaj, Bujar Bukoshi u shpall i pafajshëm.  Derisa po e zhvilloja rastin e pashë se shefi i misionit në atë kohë ishte i afërt me Bukoshin dhe zoti Bukoshi ka qenë në takime me ish shefin e athershëm të misionit EULEX. Ishte tronditëse të shohësh një shef duke u takuar me palët që po ndiqeshin ligjërisht”, tha ajo.

Ajo ka thënë se kurrë nuk e ka hetuar Francesco Flori.

“Unë e kam studiuar sulmin në rrugën 'Bill Clinton' dhe çështjen e pagesës së supozuar ndaj Florit dhe janë shfaqur pretendime për dhënie të mitos dhe e kam raportuar atë, por nuk po e hetoja atë. Dëshmitë i përcillja tek eprorët, kishin dëshmi që vinin nga raste të tjera dhe ndërlidheshin me raste të tjera të hetimit. Nuk po e hetoja Francesco Flori”.

“Hetimi duhej të bëhej i pavarur nga EULEX, sepse nuk është adekuate që kolegët të bëjnë hetime për njëri-tjetrin por unë mendoj se duhet të bëhet një hetim i përbashkët dhe që prej atëherë është qesharake që një mision i sundimit të ligjit të mos bëjë ndarjen e detyrave”.

Ndërsa ka thënë se zyra e saj ishte bastisur ndërsa tregon se ajo ishte nxjerrë prej saj jashtë përmes sigurimit.

“Ata kishin hyrë në zyrën time, kishin marrë dosje, kompjuterin, telefonin në bazë të pretendimeve të cilat I kam bërë, kanë kontrolluar gjithçka, kanë zhvendosur rastet e mia tek të tjerët”, tha ajo.

Bahmih ka treguar se për momentin nuk është duke punuar por po e shijon kohën në shtëpi.

“Jam duke u marrë me sinjalizuesit, ata që sinjalizojnë veprime të ndryshme. Më kanë ndaluar të flasë për media, njëjtë edhe personave që kam përmendur unë”, tha ajo.

“Kërkesa është bërë me shkrim nga avokatët e EULEX, ata veprojnë sipas urdhrave të Gabriele Meuuci, unë jam tronditur kur kam parë. Dokumenti ekziston, është shkruar nga avokatët e tyre”, tha Bamieh.