Fisnik Ismailit i caktohet masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh

  • 01 December 2015 - 14:51
Fisnik Ismailit i caktohet masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh

Deputetit të Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili, të ndaluar dje nga policia nën dyshimin se posedonte dy bombola gazi gjatë kohës sa ndodhej në Kuvendin e Kosovës, i është caktuar masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh.

Lajmin për këtë e ka bërë vetë të ditur deputeti Ismaili, përmes një postimi në Facebook.

Nga ajo që ai ka shkruar, ka lënë të nënkuptohet se do ta respektojë vendimin, pasi ka ftuar ta vizitojnë të gjihtë ata që dëshirojnë ta takojnë, me arsyetimin se tani e kanë të lehtë ta gjejnë në shtëpi.

Postimi i plotë i deputetit Ismaili:

Edhe pakëz burg e provova. Tash më ka mbetë veç me kcye me parashutë edhe me hypë në Kilimanxharo, edhe kompletohna.

Prej sot mu shqiptue arresti shtëpiak për 30 ditë. Ju falënderoj nga zemra krejt juve që vazhdoni me m’përkrahë, sepse e dini që qëllimi im është i drejtë edhe gjithmonë i mirë. Kam pranue tepër shumë porosi miradie.

Jam betue si deputet që kam me i mbrojtë interesat e vendit tim edhe këtë po besoj se po e baj me tanë qenien time, edhe kur padrejtësia po bahet ligj, e si rezultat mue rezistenca po më bahet detyrë.

Mue munden me m’fëlliqë sa të dojnë. Fytyrën, trupin, emnin, more edhe familjen, por ndërgjegjjen asnjiherë. E përderisa ndërgjegjja ime është e pastër, unë s’kam me u ndalë tuj ba mirë për vendin e njerëzit e mi.

Tash që shteti mujti me m’ba diçka që as Nita s’ka mujtë: me mi shti të dy kambët në një këpucë edhe me më mbyllë në shpi, kush don me m’pa, është i mirëseardhun, jo që nuk ka qenë edhe ma herët, veç unë tuj u rrugavë ma zor me m’zanë.

Për fund, i falënderoj Gazetën Express që ekzistojnë. Edhe që janë qaq debilla e bijnë gjithmonë në fore të mia. Gllupa, a ju ka shkue mendja që dikush tjetër e ka passwordin e Facebook-ut tem, edhe me një koment ju ban budallë? Papeq.