Zyrtari i Kosovës në Beograd arrin në kufirin Serbi-Kroaci ku po mbahen të bllokuar autobusët dhe udhëtarët nga Kosova

  • E.K /
  • 17 April 2024 - 11:28
Zyrtari i Kosovës në Beograd arrin në kufirin Serbi-Kroaci ku po mbahen të bllokuar autobusët  dhe udhëtarët nga Kosova

Sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli ka shkuar në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë, përcjell “Kosova Sot Online”.

Haxholli tha se nga mesnata Serbia po i mban të bllokuar mbi 300 qytetarë të Kosovës në kufirin e saj me Kroacinë.

Haxholli tha se “në hakmarrje dhe nervozizëm absurd” nga votimi i mbrëmshëm në Asamblenë Parlamentare pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, Serbia s’po i lë të kalojnë autobusët me targa të Kosovës.

“Në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarsimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë, në pikëkalimin ‘Batrovci’, Serbi – Kroaci, nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës”, shkroi ai në një postim në Facebook.

(Kosova Sot Online)