Kryediplomati i Shqipërisë viziton Thaçin në Hagë: Mbështetja jonë nuk do t’i mungojë në asnjë rast dhe për asgjë

  • S.A /
  • 17 April 2024 - 12:22
Kryediplomati i Shqipërisë viziton Thaçin në Hagë: Mbështetja jonë nuk do t’i mungojë në asnjë rast dhe për asgjë

Kryediplomati i Shqipërisë, Igli Hasani, ka vizituar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë, që nga viti 2020, transmeton "Kosova sot Online ".

Hasani ka thënë se Thaçi ishte në gjendje të mirë shpirtërore, optimist e me besim të palëkundur se drejtësia do të triumfojë. Ai ka deklaruar se e ka siguruar Thaçin se mbështetja nga Shqipëria nuk do t’i mungojë në asnjë rast dhe për asgjë.

“Sot në Hagë u takova me Presidentin Hashim Thaçi. E gjeta në gjendje të mirë shpirtërore, optimist dhe me besim të palëkundur se e drejta do të triumfojë. Ishte vërtet mbresëlënëse kurajo e tij, ekuilibri i brendshëm, qetësia dhe kthjelltësia e vizionit që ka për të ardhmen. I vetëdijshëm se proceset gjyqësore janë një maratonë me përpjeta e tatpjeta, garat i fiton ai që është i përgatitur psikologjikisht. I përcolla z.Thaçi urimet më të mira të drejtuesve më të lartë të shtetit, kryeministrit Edi Rama dhe kolegëve tjerë, si dhe sigurinë që ashtu si më parë, se mbështetja jonë nuk do t’i mungojë në asnjë rast dhe për asgjë. Populli shqiptar nuk i harron as përpjekjet, as sakrificat e bijve të vetë, ashtu si dje në luftë, por edhe sot në paqe”, ka deklaruar Hasani.

Kryediplomati shqiptar tha se do të ngulin këmbë në zbatimin e standardeve për një process gjyqësor të hapur e transparent.

“E informova presidentin për zhvillimet më të fundit në vendin tonë dhe në rajon si dhe përpjekjet e pakursyera nga ana jonë, për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin. Diplomacia shqiptare ashtu si edhe më parë, do të ngulë këmbë në zbatimin e standardeve për një process gjyqësor të hapur e transparent, me respektim të plotë të drejtave të njeriut, sipas konventave ndërkombëtare”, ka thënë Hasani.

(Kosova sot Online )