Për anëtarësimin në KiE duhen 31 vota të ministrave

  • E.K /
  • 24 April 2024 - 14:43
Për anëtarësimin në KiE duhen 31 vota të ministrave

European Stability Initiative (ESI), një think-tank që doli me publikim gjatë marsit para se të merrej vendimi për t’ia regjistruar pronën Manastirit të Decanit, ka shkruar për votimin në  Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë dhe për kërkesën për themelimin e Asociacionit.

Topi është tani në fushën e 46 qeverive të shteteve anëtare në Komitetin e Ministrave. Ata kishin kërkuar opinionin e Asamblesë më 2023. Ata morën një përgjigje të qartë. Për të pranuar Kosovën tash duhen 31 vota pro. Kërkesa e Kosovës duhet të hidhet në votim në mbledhjen vjetore të ministrave më 16-17 maj, siç shkruan ESI.

Në raportin e votuar nga Asambleja, Asociacioni është një kusht që duhet plotësuar nga Kosova pas anëtarësimit. Derisa nuk dihet me saktësi nëse Asociacioni do t’i dalë përpara anëtarësimit të Kosovës në KiE, ESI jep një pasqyrë për modelet e asociacioneve që mund të themelohen në Kosovë. Për bazë merret Kushtetuta e ligjet e Kosovës, marrëveshjet e arritura në Bruksel, deklaratat e zyratëve të lartë europianë dhe amerikanë, si dhe Plani i Ahtisaarit.

Çfarë janë e çfarë nuk janë asociacionet e komunave?

Në prill të vitit 2013, në Marrëveshjen e Parë, të arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës në qershor të atij viti, të dyja palët (!) u angazhuan për një qëllim: “Do të ketë një Asociacion/Bashkësi të komunave me shumicë serbe në Kosovë.” Dhe: “Strukturat e Asociacionit/Bashkësisë do të themelohen në bazë të njëjtë me statutin ekzistues të Asociacionit të Komunave të Kosovës…”

Në gusht të vitit 2015, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, shkroi një letër për të shpjeguar atë se si Bashkimi Europian e kuptoi Asociacionin e përmendur në Marrëveshjen e Parë të 2013-ës: Ai “nuk do të ketë fuqi ekzekutive”.

Në dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës nxori një aktgjykim për ASM-në, duke iu referuar nenit 12 të Kushtetutës së Kosovës, i cili i përcakton komunat si “njësi bazë territoriale e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës”:

“Për më tepër, Gjykata konstaton se … akti juridik dhe Statuti i Asociacionit/Bashkësisë nuk do të zëvendësojnë apo cenojnë statusin e komunave pjesëmarrëse si njësi bazë të vetëqeverisjes lokale demokratike në kuptim të nenit 12 dhe kreut X të Kushtetutës”.

Në janar 2023, këshilltari i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet dhe i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shkruan për ASM-në:

“Çfarë nuk do të ishte Asociacioni? Nuk do të shtonte një nivel të ri të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ për Qeverinë e Kosovës. Ky parim i rëndësishëm daton që nga propozimi i Ahtisaarit. Komunat bashkëpunojnë në menaxhimin e përbashkët të juridiksioneve në kuadër të institucioneve dhe strukturave legjitime të Kosovës. Lejimi i disa komunave që të ushtrojnë në mënyrë më efektive kompetencat që tashmë kanë…”

“Si do të dukej Asociacioni? Komunat me interesa, gjuhë dhe kulturë të përbashkët mund të punojnë së bashku në mënyrë më efektive për të zgjidhur sfidat e përbashkëta në ofrimin e shërbimeve publike, nëpërmjet ekonomive dhe shkëmbimit të praktikave më të mira. Për shembull, komunat do të jenë në gjendje të hartojnë planprograme dhe programe në gjuhën serbe për shkollat lokale në disa komuna, në vend që të një pune në vakum dhe të bëjnë punë të dyfishtë”.

Në shkurt/mars 2023, në të ashtuquajturën Marrëveshje Bruksel/Ohër nuk figurojnë fjalët Asociacion ose Bashkësi të komunave me shumicë serbe. Përsëri, të dyja palët (!) angazhohen që të “sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe që të jetë në gjendje që të ofrojë shërbime në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia”.

Në dhjetor 2023, ambasadori i SHBA-së në Kosovë Jeffrey Hovenier përsëriti:

“Pozicioni i SHBA-së ka qenë i qartë. Ne besojmë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë konsistent me kushtetutën aktuale të Kosovës, duhet të jetë konsistent me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që të mos jetë shtresa e tretë e qeverisë dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive. Ne nuk duam një Republikë Srpska tjetër, nuk duam diçka që do të ndikonte negativisht në mirëfunksionimin e shtetit të Kosovës”.

Më 22 mars 2024, në listën e zotimeve të pas-anëtarësimit dërguar APKE-së nga tre liderët e Kosovës, ata u zotuan të “ndërmarrin hapa thelbësorë dhe të prekshëm me synimin për të zbatuar të gjitha nenet e Brukselit dhe të Marrëveshjeve të Ohrit, që përfshin krijimin e Asociacioni i komunave me shumicë serbe sa më shpejt të jetë e mundur.”