Reagime rreth transformimit, FSK thotë se u lexuan gabimisht porositë e gjeneralit të NATO’s

  • 05 February 2016 - 21:07
Reagime rreth transformimit, FSK thotë se u lexuan gabimisht porositë e gjeneralit të NATO’s

Është vetëm një gjë që do ta kthente Lëvizjen Vetëvendosje në ulëset e parlamentit dhe atë, pa përdorur fare gazin, ujin apo filikaqat. E kjo është Forca e Armatosur e Kosovës.

Rexhep Selimi thotë se janë të gatshëm të bëjnë çfarëdo kompromisi për të ardhmen e ushtrisë së Kosovës. Ai ka ironizuar, duke thënë se më në fund edhe Aleanca e NATO’s ka nisur të mendojë si qeveria e Kosovës duke aluduar në atë që tha Komandanti i NATO-s për Evropë, gjenerali Philip Breedlove se shndërrimi i FSK'së në FAK është proces të cilin Kosova duhet ta arrijë në koordinim me fqinjët.

Sidoqoftë, është hera e para që NATO’ja publikisht ka kërkuar që Forcat e Armatosura të bëhen në marrëveshje me fqinjët, pasi vazhdimisht krerët e saj kanë thënë se çështja e ndërtimit të ushtrisë është çështje ekskluzive e institucioneve vendore.

Por në Ministrinë e FSK’së thonë se nuk ka kushte të reja rreth transformimit të Forcë nga Aleanca. Sipas drejtorit të Informimit në këtë ministri, Ibrahim Shala, deklarimi i gjeneralit Breedlove u keqkuptua, raporton KTV.

Deputeti Selimi, i cili është edhe anëtar i Komisionit për mbikëqyrjen e Forcës, thotë se janë vetëm dy zgjidhje që Kosova ka për të bërë forcën, ta shpallë atë ushtri ose ta armatosë atë.

Ka kohë që Ministria e FSK'së dhe qeveria ka bërë planin ligjor të shndërrimit të FSK-së në Forca të Armatosura, por projektligji që hap rrugën e ndryshimit të rreth 40 ligjeve mbeti në letër, pasi Qeveria dështoi që ta bindë partnerin e vogël të koalicionit Listën Serb ta votojë atë.

Sipas kushtetutës së Kosovës për formimin e ushtrisë janë të domosdoshme 2/3 e votave të pakicave.