Kryeministri i Francës: 2 mijë rezidentë në Francë të lidhur me xhihadistët

  • 05 February 2016 - 21:22
Kryeministri i Francës: 2 mijë rezidentë në Francë të lidhur me xhihadistët

Mbi 2 mijë persona rezidentë në Francë, besohet se janë të lidhur me rrjetet xhihadiste në Siri dhe Irak.

Të dhënat janë bërë të dituara nga kryeministri i Francës, Manuel Valls, në mbrojtje të rregullave të emergjencës, të cilat i lejojnë policisë të kontrollojë mijëra banesa në vetëm pak muaj pa mandat nga Prokuroria.

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare, Valls shtoi se duhen ndërmarrë veprime urgjente për të rritur masat e sigurisë me qëllim që ngjarje të tilla si ajo e 13 nëntorit të mos përsëriten më.

“Daeshi, Shteti Islamik dhe Al-Qaeda, po vijojnë të zgjerojnë influencën e tyre. Sipas të dhënave tashmë kemi kaluar kuotën e 2000 personave, francezë ose rezident në Francë që janë të përfshirë në grupet xhihadiste irakeno-siriane. Rreth 1012 prej tyre kanë udhëtuar në ato zona, ndërsa 597 gjenden ende atje”- deklaroi kreu i Qeverisë franceze”, tha ai.

Manuel Valls kërkoi që gjendja e emergjencës të shtyhet deri në muajin maj, teksa deri më tani janë kontrolluar 3289 banesa dhe janë vendosur nën arrest 341 persona.

 “Gjendja e emergjencës është një sistem që përdoret në situata të jashtëzakonshme, i shkruar në Kushtetutën e së shkuarës dhe aktuales. Ky sistem është i domsdoshëm në një shtet ligjor”.

Ndërkohë plani i qeverisë franceze për ti hequr nënshtetësinë dhe pasaportën çdo të dënuari për terrorizëm u prit me debate, madje edhe brenda partisë së presidentit Hollande, por Valls deklaroi se ishte një masë ekstreme që duhej ndërmarrë për të ndëshkuar ata që nuk kuptojnë vlerat themelore të Francës.

Më 13 nëntor Parisi u godit nga një valë sulmesh terroriste, ku humbën jetën 130 persona.