Nënë e bijë preken nga lloje të ndryshme të kancerit

  • 05 February 2016 - 23:31
Nënë e bijë preken nga lloje të ndryshme të kancerit

Një nënë, e cila i ka mbijetuar kancerit, ka përjetuar një goditje tjetër, kur vajza e saj nëntëmbëdhjetëvjeçare ishte prekur nga e njëjta sëmundje - pak kohë para se asaj t’i kumtohej lajmi që është çliruar plotësisht nga kanceri.

Joanne Moss ishte diagnostikuar me Limfomën ‘Non Hodgkin’ në maj të vitit 2010 dhe pas më shumë se gjashtë vjetësh trajtimi pritet të çlirohet plotësisht nga qelizat e kancerit në qershor të këtij viti. Mirëpo, tragjikisht, në muajin shtator të vitit të kaluar, vajza e saj Jessica e kishte zbuluar që gunga në qafën e saj ishte Limfoma ‘Hodgkins’ – një sëmundje serioze që mund të shpërndahet me shpejtësi të madhe në nyjat limfatike.

Fatmirësisht, pas një operacioni për largimin e tumorit nga qafa e saj dhe pas një periudhe të kimioterapisë, kanceri i Jessica-s ishte zhdukur. Ato tani janë duke mbledhur para në përpjekje të mbështetjes dhe rritjes së vetëdijes për Ditën Botërore të Kancerit, pasi të dyja kanë vuajtur nga kanceri dhe duket që rastet e tyre nuk kanë qenë të lidhura, pasi nuk ka pasur shenja të shkaktarit gjenetik.

Nuk e kishte marrë seriozisht

Jessica ka thënë: “Gjithçka pati filluar pak kohë pas ditëlindjes sime të nëntëmbëdhjetë. Pata zbuluar një gungë të vogël në anën e djathtë të qafës sime. Nuk e pata çarë kokën për atë punë, duke menduar që gunga kishte ardhur si pasojë e ndonjë infeksioni. Tri javë më vonë pata vërejtur që gunga e njëjtë ishte rritur shumë më tepër. Në atë moment pati filluar shqetësimi. Kam pasur një termin me doktorin tim për një çështje tjetër dhe gjatë takimit ia pata përmendur gungën. Pasi  e pati ekzaminuar më pati thënë që do të kishte qenë mirë sikur t’i isha nënshtruar skanimeve. Nëna ime kishte hulumtuar në internet për këto simptoma dhe e kishte kuptuar se për çka bëhej fjalë edhe para diagnozës së doktorit, mirëpo nuk më pati thënë asgjë. Kur doktorët patën dalë me rezultate, edhe nëna edhe babai patën qarë me të madhe. Ka qenë hera e parë që e kam parë babanë tim duke qarë”.

 Ndërpret studimet

Ajo i kishte përfunduar seancat e kimioterapisë më 9 dhjetor dhe pak kohë para Krishtlindjeve doktorët i kishin thënë që kanceri ishte zhdukur, ndonëse ajo vazhdon të shkojë për kontrolle rregullisht. Jessica, që studion për oftalmologji në Birmingem ishte detyruar t’i ndërpriste studimet për një vit për t’iu nënshtruar terapisë së mundimshme. Mirëpo, për fatin e saj të mirë, ajo e ka pasur mbështetjen e plotfuqishme të nënës, babait, vëllait dhe të dashurit të saj.

 “Kemi menduar që kishte të bënte me gjenetikën. Mirëpo, përgjigjja është jo. Dikush një herë më pati thënë ‘është një lloj lotarie mizore’. Dhe, besoj që kështu është. Mendoj që është normale nëse një person në një familje preket nga kanceri. Mirëpo, kur dy persona preken nga kanceri, që nuk ka të bëjë me gjenetikën dhe atë brenda më pak se pesë vitesh, atëherë kjo po që është e çmendur”, ka përfunduar ajo.

(Kosova Sot)