Rektori i urtë, Bajram Kosumi, “thith” para në dy institucione

  • 06 February 2016 - 19:17
Rektori i urtë, Bajram Kosumi, “thith” para në dy institucione

Mban pozitën e të parit të universitetit “Kadri Zeka” dhe është anëtar i Këshillit Shtetëror për Cilësi në Agjencinë e Akreditimit

Krasniqi: Pozicioni i Kosumit në AKK është i kundërligjshëm, përbën konflikt interesi

 

“Ligji aktual e as projektligji nuk e shohin si konflikt interesi pozicionin e rektorëve edhe nëse janë anëtarë të Bordit të Agjencisë për Akreditim. Duket se është qëllimisht kështu. Megjithëse në aspektin legal parashihet mbrapsht, për ne është konflikt i pastër interesi pozicioni i Bajram Kosumit në këtë këshill. Si mundet një rektor të akreditojë Universitetin që e udhëheq? Është absurde që një individ si Kosumi, që kishte lidhje me AAK-në së pari, me PDK-në më pas, e së fundmi me AKR-në, të jetë rektor i një Universiteti që ide të paramenduara i ka antikonformizmin dhe shkencën”, thotë Marku

 

Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, është anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në kuadër të Agjencisë për Akreditim, njëkohësisht edhe rektor i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan. Kjo paraqet konflikt të interesit, sepse detyra të cilën e mban në Agjencinë e Akreditimit duhet të jetë e pavarur, gjë që ia pamundëson, përderisa është njëkohësisht edhe rektor i këtij universiteti, programet e të cilit duhet të akreditohen nga Agjencia ku Kosumi bën pjesë. Gazeta ka tentuar gjatë ditës së djeshme ta marrë në telefon z. Kosumi, por në numrin të cilin e kishim në dispozicion u prezantua bashkëshortja e tij, e cila na dha një numër tjetër të telefonit, i cili më pas nuk ishte i qasshëm. Edhe pas dërgimit të mesazhit, se si Kosumi e mban këtë detyrë, gjersa kjo paraqet konflikt interesi, ai nuk ka kthyer përgjigje gjatë së premtes. Përgjigje nuk ka kthyer as ministri i MASHT-it, Arsim Bajrami, i cili është pyetur se pse ministria që ai e drejton e lejon Kosumin të ketë edhe pozitë në Agjencinë e Akreditimit.

Të njëjtin problem më herët e ka pasur edhe deputeti Sabri Hamiti, profesor dhe anëtar i këtij Këshilli, por me kërkesë të tij ai është tërhequr nga ky këshill. Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) përbëhet nga Bordi profesional i ekspertëve me ekspertizë në arsimin e lartë në Kosovë dhe jashtë saj, Këshilli Shtetëror i Cilësisë, që luan rol shumë të rëndësishëm. Në ueb-faqen e kësaj agjencie figuron edhe emri i Kosumit krahas emrave të tjerë. Nuk dihet se sa mëditje marrin, por ky këshill nuk i mban më shumë se katër mbledhje në vit. Gjatë së premtes kemi pritur përgjigje edhe nga Agjencia Kundër Korrupsionit, ku është përgjegjës për zbatimin e ligjit të konfliktit të interesit, por nuk kemi marrë përgjigje.

 

Marku: Kosumi, njeri që shëtiti në disa parti

 

Valton Marku, nga SVK-ja, tha për “Kosova Sot” se njerëzit që janë në konflikt interesi në fakt ligji nuk i njeh si të tillë.“Ligji aktual e as projektligji nuk e shohin si konflikt interesi pozicionin e rektorëve edhe nëse janë anëtarë të Bordit të Agjencisë për Akreditim. Duket se është qëllimisht kështu. Megjithëse në aspektin legal parashihet mbrapsht, për ne është konflikt i pastër interesi. Si mundet një rektor të akreditojë Universitetin që e udhëheq? Është absurde që një individ si Kosumi, që kishte lidhje me AAK-në së pari, me PDK-në më pas, e së fundmi me AKR-në, të jetë rektor i një Universiteti që ide të paramenduara i ka antikonformizmin dhe shkencën”, thotë ai. Sipas Markut, Bajram Kosumi më shumë mbahet mend si njeri i skandaleve.“Bajram Kosumi është sinonimi i mendësisë uzurpatore të pasluftës, meqë e trajton Universitetin si pronë të tij, si pasuri. Ai për më tepër mbahet mend për shëtitje me aeroplan privat, ndërkohë masat e përjashtuara lëngonin nga varfëria e skajshme. Kjo llahtari është fryma e përgjithshme që i përcjell fakultetet e UP-së nëpër Kosovë...(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)