Tentoi të vriste pronarin e një pike bastesh, pranga shqiptarit në Itali

  • 09 February 2016 - 13:59
Tentoi të vriste pronarin e një pike bastesh, pranga shqiptarit në Itali

Tre persona janë arrestuar në Itali, pasi akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe rishitje të makinave. Ndërsa, një person i katërt u arrestua për vrasje të mbetur në tentativë.

Mediat italiane shkruajnë se, “në pranga kanë përfunduar tre shtetas shqiptarë dhe një italian, të gjithë të njohur për policinë”.

Gjithashtu, policia ka konfiskuar edhe 9 kilogramë marijuanë, një pistoletë e kalibrit 22, municione të ndryshme, dy makina, disa maska skie, dorashka dhe dokumente false.

Identiteti i të arrestuarve nuk bëhet i ditur, por mësohet se njëri prej shqiptarëve, i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë, është arrestuar teksa ngiste një makinë “BMW X5” me ngjyrë të bardhë.

Nga lëvizjet e tij të dyshimta, karabinierët e ndoqën dhe zbuluan se kishin të bënin me një shtetas me origjinë shqiptare, i cili akuzohet se ka qëlluar mbi pronarin e një pike lojërash fati. Ngjarja ka ndodhur nëntorin e vitit të kaluar.

Ndërkohë shqiptari ishte duke planifikuar për t’u kthyer në vendlindje, por është ndaluar nga policia italiane.

(Kosova Sot)