Sa rrezikohet Kosova nga virusi Zika?

  • 10 February 2016 - 11:13
Sa rrezikohet Kosova nga virusi Zika?

Virusi më i përfolur i këtyre kohëve, i cili bartet përmes pickimit të mushkonjave, i njohur si virusi Zika, nuk është identifikuar ende në Kosovë.

Ndërkohë që përhapja e këtij virusi në Kosovë nuk ka gjasa që të përhapet si epidemi, por vetëm me raste të ndara.

Kështu tha për KosovaPress, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani.

“Duke marrë parasysh se ende nuk ka rrezik për shpërthim të madh epidemik, Kosova është e përgatitur që të ndërmarrë masat e para në rast të paraqitjes eventuale, të një rasti apo të disa rasteve. Si dhe paraqitjes eventuale të rasteve nga Shqipëri që mund të jenë rrezik potencial që të përhapen edhe në Kosovë, si raste që mund të infektohen qytetarët të cilët udhëtojnë për në veri”, tha Ramadani.

Ai tha se meqë ende nuk ka medikamente kundër këtij virusi, qytetarët duhet të vetëdijesohen për metodat parandaluese.

“Njerëzit në radhë të parë duhet të kenë kujdes nga mos pickimi i mushkonjave, sepse mushkonjat vijnë nga ajri dhe njerëzit nuk janë të mbrojtur çdo herë. Në radhë të dytë është frekuenca më e madhe e pickimit të mushkonjave gjatë ditës, në perëndim të diellit dhe herët në agim. Këto janë kohërat e ditës më të shpeshta ku mund të ndodhë pickimi i mushkonjave. Pastaj e treta është që të mbrohen në veshmbathje, që të mos kenë ekstremitete të zbathjes dhe zhveshjes ku mund të pickojnë mushkonjat, dhe e katërta është përdorimi i repetentëve, dëbuesve apo larguesve të mushkonjave përmes materieve kimike të ndryshme që dëbojnë ato dhe mjete të ndryshme nga pickimi”, tha Ramadani për KosovaPress.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë tha po ashtu se nëse dikush ka simptomat klinike të virusit që janë: temperaturë, ethe, plogështi, dhimbje në nyje dhe skuqje e syve, ata duhet të lajmërohen në Klinikën Infektive për trajtim të mëtejshëm.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti përmes telefonit tha se nëse Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike e sheh të nevojshme që të mobilizohen institucionet për parandalimin e këtij virusi, atëherë do të merren masa.

Por sipas tij, tani për tani, Kosova nuk është e rrezikuar nga ky virus.

(Kosova Sot)