Heronj për Kosovën, terrorist për Serbinë

  • 10 February 2016 - 12:09
Heronj për Kosovën, terrorist për Serbinë

Adem Jashari për shqiptarët e Kosovës është njëri nga heronjtë më të mëdhenj në histori. Por sigurisht kështu nuk njihet edhe në shtetin fqinjë, Serbi, nga ushtria e policia e të cilit u vra në mars të vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë.

Në Wikipedian serbe, në alfabetin cirilikë, heroi Jashari cilësohet si terrorist. Ai ngarkohet me vepra kriminale, njëjtë sikurse zv.kryeministri Hashim Thaçi, i cili konsiderohet si njëri nga themeluesit e “organizatës terroriste”, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Hiç më mirë nuk cilësohen edhe emra të tjerë të historisë shqiptare. Por kjo ndodhë edhe në Wikipedian në gjuhën angleze. Jashari konsiderohet si irredentist dhe separatist i cili ka luftuar për ndarjen e Kosovës nga Serbia, ndërkaq Thaçi cilësohet si bashkëpunëtor i mafias shqiptare në Evropë gjatë viteve të 90-a.

Kosova nuk përmendet asnjëherë si shtet i pavarur apo Republikë. Edhe në artikujt për yllin e muzikës Rita Ora apo futbollistin e njohur Xherdan Shaqiri, thuhet se kanë lindur në Prishtinë, përkatësisht në Gjilan, në Jugosllavi.

Një njohës i mirë i Wikipedias, por edhe njëri nga kontribuuesit më të mëdhenj me artikuj në gjuhën shqipe, Ismet Azizi, thotë se për ta përmirësuar imazhin e Kosovës në këtë enciklopedi elektronike, shteti duhet t’i stimulojë njerëzit për të shkruar e përkthyer artikuj. Azizi deklaron për lajmi.net, se artikujt në gjuhën serbe janë pothuajse të njëjtë me ata në gjuhën angleze. Kjo i bie që çfarëdo që serbët shkruajnë për Kosovën në cirilikë, njëjtë shkruajnë edhe në anglisht.

“Në Wikipedia mund të kontribuojë çdokush, në cilëndo gjuhë qoftë. Edhe shqiptarët mund të shkruajnë në serbisht dhe të mos identifikohen fare si shqiptarë. Madje nëse janë kontribuues të rregullt, ka mundësi të bëhen edhe administratorë. Por sigurisht nevojitet stimulimi që njerëzit të angazhohen”, konsideron Azizi.

Planeti, siç e ka pseudonimin në Wikipedia, thotë se njerëzit i referohen shumë informacioneve në këtë enciklopedi. Por për t’u bërë administrator në gjuhën angleze e për të përmirësuar artikuj, duhet punë dhe kontribut i madh.

“Duhet të arrish të bëhesh redaktor në anglisht, mandej të korrigjosh artikujt në anglisht. Ka rregulla të cilat duhet respektuar, dhe mandej të mos harrojmë se ka administratorë serbë në anglisht. Po ashtu burimet e të dhënave në serbisht janë më të besueshme për botën. Këtu qëndron problemi. Duhet cituar të dhënat, përndryshe administratorët i fshijnë. P.sh. emri i Gjilanit në anglisht , për ta më zyrtare është në serbisht se në shqip. Kam provua shumë herë t’ia ndërroj emrin dhe ta shkruaj në shqip, por ma kanë kthye mbrapa”, pohon Azizi.

Në gjuhën angleze, Wikipedia ka rreth 4 milionë e gjysmë artikuj, me 1 mijë e 408 administrues dhe gati 22 milionë përdorues. Në gjuhën serbe janë rreth 250 mijë artikuj me 18 administrues dhe gati 143 mijë përdorues. Ndërkaq në gjuhën shqipe janë pak më shumë se 51 mijë artikuj, me 14 administratorë dhe rreth 64 mijë përdorues. Por vetëm pesë administrator janë aktiv e ata janë Planeti, Eruditi, Liridoni, Tëfci dhe Eagleal, transmeton lajmi.net.

Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me Fondacionin IPKO, shoqatën kosovare “Open source FLOSS” dhe Ambasadën e Mbretërisë së Norvegjisë, kanë organizuar dy herë projektin Wiki Academy, për trajnimin e të rinjve për përdorimin e Wikipedias, që ka për qëllim shtimin e informatave për Kosovën.

Poashtu edhe konkursi Wiki Loves Monuments që organizohet nga dy organizata jo-qeveritare në Shqipëri dhe Kosovë, dhe mbështetet nga Ministritë e Kulturës, ka mundësuar që fotografi të monumenteve të trashëgimisë kulturore shqiptare të postohen në Wikipedia.

(Kosova Sot)