Nga pushimet tatimore përfitojnë bizneset që hapin vende të reja pune

  • 10 February 2016 - 12:46
Nga pushimet tatimore përfitojnë bizneset që hapin vende të reja pune

Ministria e Financave po mban tryezën në lidhje me “Udhëzimin administrativ për kriteret dhe procedurat për përftimin nga pushimet tatimore”.

Ministri i Financave Avdullah Hoti në hapje të kësaj tryeze tha se në vazhdën e krijimit të një ambienti edhe më të favorshëm për sektorin privat, Ministria e Financave ka hartuar draftin e Udhëzimit Administrativ për Pushimet Tatimore, që do të stimuloj dhe të rrisë në mënyrë të fuqishme zhvillimin ekonomik të vendit, përmes investimeve të reja në sektorë të ndryshëm, si dhe hapjen e vendeve të reja të punës, raporton gazeta Kosova Sot Online.

Hoti tha se nga pushimet tatimore mund të përfitojnë bizneset të cilat do të krijojnë vende të reja të punës dhe investime.

Ai gjithashtu theksoi se “Qeveria e Kosovës ka adoptuar agjendë në favor të rritjes ekonomike, me qëllim të përkrahjes sa më të madhe të sektorit privat, ku fokusi është në rritjen e zhvillimit ekonomik, veçanërisht në tërheqjen e investimeve të reja dhe krijimit të vendeve të punës.

Ndërkohë, Sami Salihu nga ATK prezantoi draft udhëzimin i cili tregoj kriteret që duhet ti plotësojnë bizneset të cilët do ta përfitojnë me këtë Udhëzim Administrativ. Sipas tij investitorët të cilët planifikojnë investime mbi 10 milion euro dhe krijojnë 120 vende të reja të punës për tre vite, do të pushohen nga tatimi. Po ashtu lehtësira do të kenë edhe bizneset të cilët planifikojnë të investojnë më pak se 10 milionë euro.

Hartimi i këtij Udhëzimi Administrativ nga pjesëmarrësit u cilësua si shumë i nevojshëm për përcaktimin e kritereve dhe procedurave për pushime tatimore dhe lehtësirat e veçanta për bizneset e reja.

Përgatitja e këtij udhëzim është në vazhdën e thellimit të mëtutjeshëm të politikave fiskale, duke pasur si synim kryesor krijimin e një ambienti tërheqës për bizneset ekzistuese si dhe për bizneset e reja që do të investojnë në krijimin e vendeve të reja të punës dhe do ndihmojnë në zhvillimin  ekonomikë të vendit tonë.

(Kosova Sot)