Baraliu: S'ka vullnet politik për dekriminalizim në Kosovë

  • 10 February 2016 - 16:27
Baraliu: S'ka vullnet politik për dekriminalizim në Kosovë

Juristi Mazllum Baraliu tha se është iniciativë e mirë ligji për dekriminalizimin në Shqipëri dhe se ky  është një kusht i Bashkimi Evropian në procesin e avancimit të integrimit të Shqipërisë në Bashkim Evropian .

" Është një hap i domosdoshëm dhe po aq i domosdoshëm sa në Shqipëri edhe në Kosovë, po ashtu edhe në vende të tjera të Ballkanit'', tha Baraliu në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”.

''Kjo do të duhej të bëhej edhe në Kosovë, por pse nuk po bëhet? Për arsye se ende nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik të qeverisjes në Kosovë, prandaj nuk bëhet'', tha ai tutje.

''Kur do të kishte edhe po të kishte një presion, siç ka në Shqipëri tashmë edhe nga Shtetet e Bashkuara përmes përfaqësuesve diplomatikë, edhe nga Bashkimi Evropian sigurisht që edhe këtu do të duhej të iniciohej kjo çështje dhe do të duhej të bëhej'', shtoi tutje Baraliu mbi domosdoshmërinë e dekriminalizimit në Kosovë.

''Mirëpo, BE-ja dhe bashkësia ndërkombëtare në Kosovë kanë dy prioritete të tjera, në këtë rast në Kosovë dhe e kanë lënë anash këtë çështje. Sigurisht që pas përmbarimit, absorbimit të Gjykatës Speciale, siç është miratimi i saj, dhe avancimit të dialogut me Serbinë që i kanë prioritet në Kosovë, pastaj besoj se do të iniciohet edhe kjo çështje'', mendon juristi Baraliu.

 ''Pa inicim nga jashtë, nga brenda, fatkeqësisht, ende nuk ka një gatishmëri nga estabilishmenti politik dhe nuk ka një presion të mjaftueshëm nga shoqëria civile dhe nga opinioni publik që të fillohet dhe të fillohet jo vetëm në organet e drejtësisë, por të fillohet në të gjitha sferat e jetës institucionale dhe të përgjithshme në Kosovë, në mënyrë që me të vërtetë t'i plotësojmë standardet e duhura që të avancojmë në proceset e integrimit në Bashkim Evropian'', përfundoi ai bisedën me ''Kosova Sot''.

(Kosova Sot)