Në Greqi mund të mbeten të bllokuar 50 mijë refugjatë

  • 10 February 2016 - 18:12
Në Greqi mund të mbeten të bllokuar 50 mijë refugjatë

Ministri i Politikave të Emigracionit të Greqisë, Jannis Muzalas në lidhje me mundësinë e mbylljes së kufijve nga BE-ja për refugjatët është shprehur se duhet të jemi të gatshëm për një gjë të tillë. Numri i refugjatëve që do të mbeten të bllokuar në Greqi mund të shkojë deri në 50 mijë persona''.

Këtë deklaratë ministri Muzalas e ka bërë gjatë një daljeje televizive në kanalin Mega, transmeton AA. Ai vuri në dukje se një vendim i tillë do të konsiderohet si një vendim i njëanshëm.

Duke cekur edhe mundësinë e patrullimit të forcave të NATO-s në Egje Muzalas ka thënë: ''Nëse programi për patrullim i NATO-s dhe Frontexit parashikon ato edhe në ujërat turke si dhe ridërgimin e refugjatëve të kapur drejt Turqisë kjo parimisht mund të konsiderohet një zhvillim pozitiv''.

Muzalas në vijim të fjalës së tij është shprehur se Greqia është në një vijë me Italinë dhe Spanjën përsa i përket krizës së refugjatëve.

Jannis Muzalas ka deklaruar gjithashtu se deri në fund të shkurtit të këtij viti ata synojnë hapjen dhe aktivizimin e qendrave të pranimit të refugjatëve në ishujt ku ata zbarkojnë.

Refugjatët të cilët kalojnë nga Turqia drejt Greqisë e përdorin këtë vend si një pike transit për të vazhduar më tej udhëtimin e tyre drejt Europës. Vitin e kaluar më shumë se 900 mijë refugjatë kanë përdorur Greqinë si vend transit për të shkuar drejt Europës Veriore dhe asaj Perëndimore.