Kosova një nga pikat e agjendës së Sekretarit Kerry në Tiranë

  • 10 February 2016 - 20:40
Kosova një nga pikat e agjendës së Sekretarit Kerry në Tiranë

Kosova do të jetë një nga pikat në agjendën e Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry gjatë vizitës në Tiranë.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry nuk do të qëndrojë shumë gjatë në Tiranë të dielën, por mesazhet e tij do të jenë shumë të rëndësishme.

Zyrtarisht, shefi i diplomacisë amerikane vjen në Tiranë për të shënuar 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Kosova do të jetë një nga temat që ai do të diskutojë me kryeministrin Edi Rama, duke i kërkuar një rol më aktiv të Shqipërisë, veçanërisht pas zhvillimeve shqetësuese në Kosovë, në prag të protestës së paralajmëruar të opozitës, në përvjetorin e tetë të pavarësisë dhe të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Burime të qeverisë i thanë Top Channel se me këtë ka lidhje edhe darka e së premtes në Tiranë mes kryeministrit Rama dhe ministrit të Jashtëm kosovar, Hashim Thaçi. Edi Rama e përmendi këtë fakt në një postim në Twitter po atë natë, gjatë darkës së mbajtur larg vëmendjes së mediave.

Çështja e muxhahedinëve iranianë është pika e parë e axhendës së sekretarit amerikan të Shtetit dhe mësohet se ai do të falenderojë qeveritë e Shqipërisë që, në të kaluarën dhe tani, kanë marrë përsipër të strehojnë anëtarët e opozitës iraniane.

Disa vjet më parë, qeveria e kryeministrit Berisha mori përsipër të strehojë mbi 200 muxhahedinë, ndërsa tani qeveria e kryeministrit Rama ka rënë dakord të marrë përsipër strehimin edhe të 1 mijë iranianëve të tjerë, nga rreth 2.800 që janë aktualisht në kampin “Liria” në Irak.

Kjo është një çështje që ka marrë paraprakisht edhe dakordësinë e opozitës në Shqipëri. Dhe jo rastësisht, në axhendën e takimeve të sekretarit amerikan të Shtetit, të paktën deri tani, janë përfshirë vetëm dy persona, kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha.

Por këta dy persona janë gjithashtu edhe dy personat më të lartë politikë në vend, ndaj me ta, John Kerry ka në axhendë të diskutojë edhe rëndësinë e reformës në drjejtësi. Kjo është pika e dytë e rëndësishme e axhendës së Kerryt në Tiranë.

Burime diplomatike dhe politike konfirmuan për Top Channel se kjo pjesë e mesazheve që prek drejtpërsëdrejti politikën e brendshme në Tiranë është e detajuar dhe e mirëmenduar për mënyrën sesi do të artikulohen mesazhet.

Por, megjithëse disa ditë larg, efekti i vizitës së sekretarit Kerry u ndje që të mërkurën, kur me një shpejtësi të rrufeshme, projektligji i Byrosë së Hetimit, nga një mister, u kthye në një realitet konkret.