Kadaj-Bujupi: Thaçi është shkaktari kryesor që vendi është në këtë pikë

  • 12 February 2016 - 18:28
Kadaj-Bujupi: Thaçi është shkaktari kryesor që vendi është në këtë pikë

Shefja e Grupit Parlamentar nga AAK, Donika Kadaj-Bujupi ka folur në lidhje me krizën politike si dhe zgjedhjen e presidentit.

Sipas saj tani është e pamundur që të bëhet zgjedhja e të parit të vendit.

“Institucionet e tanishme nuk kanë legjitimitet, pra ato nuk mund të zgjedhin president, pra nuk mund të procesojnë tutje”.

“Tentimi për të zgjedhur president nuk do të jetë zgjidhje, ajo do ta thellonte krizën edhe më shumë”.

Kadaj-Bujupi ka thënë se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje.

“E vetmja që mund të sjell dalje nga kriza janë zgjedhjet e reja, duke i rilegjitimuar të zgjedhurit e tyre”.

Duke folur për kandidatin për President, pra liderin e PDK-së, Hashim Thaçi, ajo ka thënë se ai nuk është i denjë për atë pozitë.

“Kur flasim për president mendojmë se ai është shkaktari kryesor që vendi ka ardh në këtë pikë. Ai duhet të jetë një person unifikuar. Thaçi prej kur është në qeveri si parim e ka pasur ‘lëshimin pe’, e tash kur ai duhet të jap llogari ai po kërkon të zgjedhet për president”, tha ajo në Info Magazinë të Klan Kosovës.

Ajo ka thënë se partia e saj dhe dy partitë e tjera opozitare nuk kanë problem me ligjin, por me personat që shkelin atë.

“Ne nuk kemi problem me ligjin, kemi problem me një qeveri që e ka shkelur kushtetutën. Nuk kemi problem me ligjin pra se po e mbrojmë një vendim që ka dhënë Gjykata Kushtetuese”.